BSH: Fitimet e bankave u përkasin pronarëve të bankave
Banka e Shqipërisë shfuqizoi një rregullore që ishte miratuar në mars të vitit të kaluar dhe që i ndalonte bankat të vepronin në Shqipëri për të shpërndarë dividendë nga fitimet e veta për shkak të krizës. Sipas BSH, ndalimi i shpërndarjes së dividendit vitin e kaluar qe një masë e jashtëzakonshme që nuk mund të mbetej në fuqi përgjithmonë, për shkak se bie ndesh me detyrimet e Shqipërisë ndaj Bashkimit Europian dhe Organizatës Botërore të Tregtisë.
“Masa e marrë në thelbin e saj mishëronte një veprim të shtuar kujdesi në kushtet e një situate me vështirësi në rritje. Por, gjithsesi ajo u programua të ishte e përkohshme, përderisa objekt i saj ishte vendosja e kufizimeve në eksportimin e kapitalit. Duke marrë parasysh angazhimet e shumta të vendit tonë, veçanërisht ato që lidhen me anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe Organizatën Botërore të Tregtisë, kjo masë ishte në kundërshtim me frymën e liberalizimit të llogarisë kapitale. Riatdhesimi i kapitalit dhe i fitimeve të investitorëve të huaj (përfshirë dhe transferimin e dividendëve), ka qenë një transaksion i natyrës kapitale, i liberalizuar që në mesin e vitit 1992”, deklaroi së fundmi BSH.
Bankat e nivelit të dytë patën akumuluar fitime prej rreth 50 milionë eurosh gjatë vitit 2008, por për shkak të rritjes së shpejtë të kredive të këqija, Banka e Shqipërisë i urdhëroi të mos e shpërndanin këtë fitim, nga frika se mos bankat dilnin me humbje në aktivitetin e tyre për vitin 2009. Bankat në Shqipëri arritën të përshtaten shpejt me realitetin e krijuar nga kriza dhe kryesisht përmes rritjes së tarifave për shërbimet e veta si dhe detyrimit të bizneseve në Shqipëri për t’i kryer pagesat vetëm përmes sistemit bankar, ia dolën të realizojnë fitime edhe gjatë vitit të kaluar. Rreziqet duket se janë larguar tashmë, pavarësisht se kreditë e këqija vijojnë të rriten.
#