E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i keq rikthen emergjencën në Veri

Izolohen nga bora tri komuna të thella. Dëmtohet rëndë edhe rruga e Shishtavecit

Reshje të dendura shiu dhe stuhi dëbore kanë përfshirë rajonin e Kukësit që nga mbrëmja e shkuar. Në zonat e thella të lartësisë mbi 800 metra mbi nivelin e detit ka pasur reshje dëbore. Në komunat Grygë-çajë, Kalis, Shishtavec dhe Arrën trashësia e dëborës arrin nga 30 deri në 50 cm. Përveç Shishtavecit, në komunat e përmendura ende nuk është bërë e mundur plotësisht hapja e rrugës automobilistike për mjetet motorike. Edhe në katër fshatra të Komunës Zapod, ende prej rreth 3 muajsh nuk ka shkelur ndonjë automjet dhe çdo transport kryhet me kafshë. Edhe rruga e Shishtavecit funksionon me probleme, pasi në segmente të ndryshme furgonët dhe mjetet e tjera duhet të tërhiqen me fadromë në dhjetëra metra, kryesisht në fshatin Orjgost, ku tabani i rrugës ka pësuar zhvendosje për shkak të ujit që buron aty. Banorët e fshatit Novosej në këtë komunë tregojnë se kalimi i Orgjostit përbën një rrezik dhe për të është raportuar me kohë në dikasterin qendror të rrugëve. “Kjo pjesë rruge prej disa qindra metrash linear është dëmtuar prej shumë kohësh, tha një shofer i linjës së forgonëve për pasagjerë të Novosejit. Edhe vitin e shkuar, kur trupi i rrugës rrëshqiti deri në 1.5 metra, traktorët e ndërmarrjes së rrugëve thjesht ulën një pjesë të shpatit, duke mbushur hendekun e krijuar, por askush nuk është marrë seriozisht me këtë punë”, tha ai. çështja e rrugës së Shishtavecit, e sidomos e segmentit të Shtrezës, është bërë problem edhe nga pushteti vendor, i cili i ka dërguar shkresa të përsëritura dikasterit qendror të rrugëve. Burime të Komunës së Shishtavecit tregojnë se është kërkuar ndërtimi nga e para i segmentit të kësaj rruge, pasi me riparime të pjesshme nuk mund të sigurohet funksionimi i aksit. “Kemi kërkuar disa herë pranë qeverisë që të ndërhyhet për segmentin e Orgjostit të rrugës Kukës-Shishtavec, duke ofruar edhe bashkëpunimin tonë për projektin. Por nuk na është miratuar një gjë e tillë”, tregon kryetari i komunës, Dylejman Nela, duke shtuar se një nga përgjigjet e fundit ka qenë që ky segment do të rregullohet në kuadër të projektit të madh të rikonstruksionit të krejt aksit nga Ura e Uzinës në Shishtavec prej 30 km dhe për të cilin qeveria ka dhënë rreth 4 miliardë lekë. Nela tha gjithashtu se rruga e prishur ka dëmtuar deri diku edhe aktivitetet kombëtare të sportit të skive, që janë zhvilluar në Shishtavec.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›