E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rënia e importit të karburanteve rrënon të ardhurat

Doganat Rritja e akcizës mbi naftën nuk ia përmirësoi dot bilancin

Administrata doganore realizoi një deficit në të ardhura prej rreth 7 milionë dollarë më pak se plani, deficit që u shkaktua veçanërisht si pasojë e rënies së fortë në importet e karburanteve. Statistikat e publikuara dje tregojnë se të ardhurat në administratën doganore qenë 7.2 miliardë lekë, rreth 1 për qind më të larta se një vit më parë, por 9 për qind më të ulëta se sa plani. Shqipëria importoi 28 mijë tonë karburante gjatë janarit, ndërkohë që një vit më parë pati importuar 39 mijë tonë. Rritja e akcizës së naftës gjatë vitit të kaluar nga qeveria, si dhe çmimi më i lartë i importit këtë vit, ia shtoi të ardhurat administratës doganore, por gjithsesi jo sa për të mbyllur deficitin. Shqiptarët paguan këtë muaj 58 lekë taksa në dogana për çdo litër naftë, ndërkohë që një vit më parë patën paguar 46 lekë, gjë që përfaqëson një rritje të fortë të ngarkesës fiskale për këtë produkt. Importet e karburanteve në janar qenë më të ulëtat të regjistruara në Shqipëri që nga viti 2005. Shkaku i rënies së karburanteve, përveç rënies së përgjithshme të aktivitetit tregtar e prodhues në vend, qe si pasojë e përfundimit të punimeve në rrugën Rrëshen-Kalimash. Rënie të fortë këtë janar kanë pësuar edhe importet e birrës e kafesë. Perspektiva për muajt e ardhshëm pritet të mbetet negative. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, investimet e larta publike të shoqëruar me fushatën elektorale patën krijuar një lumë importesh, të cilat këtë vit do të mungojnë. Historikisht të ardhurat e qeverisë gjatë muajve të parë të vitit kanë tejkaluar planin, por kjo gjë nuk po ndodh këtë vit, gjë që paralajmëron për vështirësi më të mëdha në të ardhmen.

Të ardhurat e administratës doganore u ndihmuan veçanërisht nga zhvlerësimi i lekut kundrejt euros. Importet totale në euro qenë më të ulëta se një vit më parë, por për shkak se taksat doganore arkëtohen në lekë dhe vlera e importeve konvertohet në lekë, sasia e taksave të paguara për të njëjtën sasi mallrash rritet.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›