E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: “Gjatë vitit 2008 paraja jashtë bankave u rrit me 42.5 miliardë lekë”



Paraja në qarkullim jashtë sistemit bankar në Shqipëri arriti në 203.7 miliardë lekë në dhjetor 2008, me një rritje prej 26.4% kundrejt dhjetorit 2007, një rritje kjo që nuk është parë asnjëherë që nga kriza e vitit 1997, bëhet e ditur nga statistikat e publikuara prej Bankës së Shqipërisë. Paraja në qarkullim u rrit në këtë mënyrë me 42.5 miliardë lekë (euro 327 milionë), kryesisht si pasojë e tërheqjes së depozitave që qytetarët patën nëpër banka gjatë tremujorit të fundit të vitit. Rritja e parasë në qarkullim jashtë sistemit bankar konsiderohet nga ekspertët si një nga shkaqet e dobësimit të lekut kundrejt euros dhe dollarit gjatë janarit dhe shkurtit të këtij viti. Si pasojë e tërheqjeve të shumta, depozitat në sistemin bankar u rritën gjatë vitit të kaluar vetëm me 2.8%, shifër kjo më e ulëta e regjistruar në shumë vite. Gjatë viteve të shkuara, depozitat janë rritur me 15-20%. Ulja e qarkullimit të parasë fizike ka qenë një objektiv madhor për qeverinë dhe BSH-në gjatë viteve të fundit, qëllim që ka justifikuar disa masa fiskale në favor të bankave dhe në dëm të klientëve të bankave. Megjithatë, asnjë rezultat konkret nuk është arritur, sipas shifrave të vitit të kaluar. Baza monetare, (treguesi që mat qarkullimin e lekut shqiptar në treg) u rrit me 19.1% gjatë vitit të kaluar, shifra më e lartë kjo e regjistruar gjatë gjashtë viteve të fundit. Historikisht është vënë re një lidhje e ngushtë mes bazës monetare dhe ecurisë së kursit të këmbimit të lekut kundrejt euros. Baza monetare është përdorur si një mekanizëm kontrolli sasior për kursin e këmbimit. Shifrat e mësipërme tregojnë se Banka Qendrore dhe kërkesa e qeverisë për para janë shkaktare të dobësimit të lekut gjatë muajit shkurt.

17 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›