E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i energjisë, qeveria përgatit rritjen e re me 10 për qind në dhjetor 2009

Çmimi i ri për një kilovat/orë do të shkojë në 15 lekë. Fasha e parë e konsumit do të ulet nga 300 në 250 kw/h

Ervin KOÇI

Çmimi i energjisë elektrike do të ndryshojë sërish për të gjithë kategoritë e konsumatorëve në vend, por kjo do të realizohet vetëm në fund të këtij viti. Në raportin e saj më të fundit, Enti Rregullator i Energjisë ka propozuar që përveç rritjes së çmimit me 10 për qind, të ndryshojë edhe fashën e konsumimit të energjisë elektrike për abonentët familjarë, duke e ulur atë nga 300 në 250 kë/h. Sipas raportit të ERE-s, edhe për tre vitet në vazhdim çmimi i energjisë elektrike do të vijë në rritje. Sipas të dhënave nga ERE, çmimi i ri për një kilovat/orë do të shkojë në 15 lekë/kilovat-ora, nga 12 që ishte deri tani për fazën mbi 300 kw/h. Ndërkohë për fashën e parë, që do të jetë deri në 250 kw/h, çmimi nuk do të rritet mbi 7 lekë kilovati, që është dhe aktualisht. Blerësit e rinj të OSSH-së, sipas përcaktimeve paraprake të kontratës së shitjes, pritet që të bëjnë një kërkesë për rritjen e çmimeve këtë vit, me qëllim që ajo të hyjnë në fuqi më 1 janar të vitit 2010. Burimet zyrtare të ERE-s shpjegojnë se, “rritja e çmimeve do të shtrihet në një hark kohor gjatë tre viteve në vazhdim, për shkak të tendencës gjithnjë në rritje të çmimit të energjisë elektrike në rajon”. Në Shqipëri kostoja e energjisë është edhe më e lartë për shkak të nivelit të lartë të humbjeve në rrjetin e transmetimit, që aktualisht është rreth 30 për qind. Vetëm për shkak të kësaj situate, në menaxhimin e OSSH-së, konsumatorët e rregullt në konsumin e energjisë paguajnë edhe për ata që e vjedhin energjinë. Për vitin 2008 ERE nuk e miratoi rritjen e çmimeve të energjisë për shkak se tarifat e miratuara për vitin 2008 mbulonin të gjitha kostot e parashikuara nga KESH-i për një furnizim pa ndërprerje të vendit me energji elektrike. Humbjet e përgjithshme të energjisë elektrike për vitin 2008 rezultojnë me 2140 kw/h, dhe në përqindje 33.99 për qind.

Çmimi

Për abonentët që konsumojnë deri në 300 kw/h energji elektrike në muaj, çmimi i energjisë është 7 lekë. Për këtë kategori konsumatorësh, në vendimin e saj më të fundit, që përkon në shkurt të 2008-s, ERE vendosi që të mos ketë rritje të tarifave të energjisë elektrike. Por pjesa më e madhe e energjisë që hidhet në rrjet konsumohet pikërisht nga ky grup konsumatorësh. Konkretisht, gati 70 për qind e numrit të përgjithshëm të klientëve familjarë konsumojnë energji deri në bandën 300 kw/h në muaj. Sipas raportit të ERE-s, gati 28 për qind e energjisë që hidhet në rrjet konsumohet nga kjo kategori konsumatorësh. Por sipas Entit, një raport i tillë është i ekzagjeruar. “Ky raport mendojmë se është i ekzagjeruar, çka do të thotë se nuk e përligj konceptin mbi të cilin është ngritur arsyetimi për krijimin e bllokut të parë, si bllok që merr në mbrojtje shtresat e konsumatorëve me të ardhura të pakta”,- thuhet në raportin e Entit. Në një situatë të tillë Enti ka hedhur idenë e ndryshimit të fashës së konsumit, ose e thënë ndryshe së shpejti do të ulet fasha e konsumit për konsumatorët në nevojë, pra nuk do të jetë më 300 kw/h orë në muaj, por më pak dhe abonentët familjarë që do të konsumojnë 300 kw/h, apo më shumë, do të paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike. “Gjatë vitit 2009, ERE do ta rikonsiderojë sasinë e energjisë elektrike për bllokun e parë”, - thuhet në raportin e ERE-s.

Raporti

Në disa raste ndërprerjet e energjisë elektrike gjatë vitit 2008 kanë qenë të qëllimshme dhe një fakt i tillë është deklaruar nga vetë Enti Rregullator i Energjisë. “Na duhet të pohojmë se në disa raste ka pasur edhe ndërprerje abuzive nga zona të caktuara të OSSH-së, me qëllim përmirësimin e indeksit të humbjeve në zonat përkatëse, çka përbën një dukuri të palejueshme”,- thuhet në raport. Përveç kësaj, gjatë vitit të kaluar ka pasur parregullsi në faturimin e energjisë elektrike. Disa herë nuk është respektuar intervali mujor i faturimit por është faturuar në intervale përtej mujore, çka ka sjellë një pagesë suplementare dhe të padrejtë nga ana e klientëve. Ndërsa abonentëve që kanë matësit e dëmtuar, faturistët e OSSH-së ua faturojnë energjinë në mënyrë arbitrare. Mospajisja me matës e abonentëve vazhdon të jetë gangrena e OSSH-së. Kjo pasi, siç dihet, një pjesë e mirë e faturave aforfe nuk paguhet. Sipas të dhënave më të fundit, numri i klientëve me faturim aforfe është reduktuar në 63 590.

Humbjet

Gjatë vitit 2008, niveli i humbjeve të energjisë ka pësuar ulje, por përsëri ka shumë punë për të bërë. Sipas të dhënave nga ERE, gjatë vitit të kaluar rezultatet më të dobëta janë në zonat e Kukësit, Shkodrës, Burrelit dhe Durrësit. Niveli i humbjeve të energjisë është një prej treguesve kryesorë të OSSH-së. Jo pak herë ndërkombëtarët kanë kërkuar që të përmirësohet niveli humbjeve të energjisë elektrike.

Faturimi

Pavarësisht aksioneve të ndërmarra nga drejtues të OSSH-së për ndërprerjet e energjisë elektrike, me konsumatorët që nuk e paguajnë atë përsëri ka probleme. Raporti i ERE-s nxjerr në hap se një pjesë e mirë e konsumatorëve të qyteteve të mëdha si Tirana, Durrësi, Shkodra etj., vazhdojnë të mos e paguajnë energjinë që konsumojnë. Përmirësimi i nivelit të arkëtimeve është një tjetër kriter i vendosur nga ndërkombëtarët për OSSH.

Konsumatorë 1 042 923

Familjarë 87.4%

Privatë 11.6%

Buxhetorë 1%

Energji e shitur në kw/h 4.109 miliardë

17 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›