E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: “Në protestën e LSI-së populli i majtë kërkoi fuqishëm largimin e Berishës”



Zëvendëskryetari i LSI-së dhe njëkohësisht kryetari i grupit parlamentar “E majta për integrim”, Pëllumb Xhufi, ka falënderuar qytetarët e Tiranës dhe të të gjithë Shqipërisë që iu bashkuan protestës së organizuar nga LSI-ja me moton “Berisha ik”. Xhufi tha se në këtë protestë populli i majtë kërkoi fuqishëm largimin e kryeministrit Berisha, i cili është shkaktari i tragjedisë së Gërdecit. “Njëvjetori i krimit të Gërdecit përkon me ringjalljen e natyrës dhe të jetës dhe si i tillë nuk meritonte që të ishte një ditë funebër. Prandaj Lëvizja Socialiste për Integrim, në mënyrë të veçantë falënderon dhe shpreh mirënjohjen e të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI-së si dhe partive të tjera opozitare, të cilat ditën e djeshme, në liri të plotë, shprehën me zë të lartë urrejtjen dhe zemëratën e tyre kundër qeverisë së Sali Berishës, shkaktare të krimit të Gërdecit. Populli i majtë, anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së, të opozitës së vërtetë, i shprehën një mesazh të fuqishëm qeverisë së Berishës, e cila është një qeveri që si rrallë ndonjë qeveri tjetër shqiptare, ka vrarë qytetarët e vet, ka varfëruar qytetarët e vet dhe ia ka shitur interesat e vendit Fazlliçëve të të gjithë botës. Gërdeci, në gjykimin e Lëvizjen Socialiste për Integrim, është guri i provës i politikës, nuk është absolutisht një fakt që qëndron përtej politikës. Me qëndrimin ndaj krimit shtetëror të Gërdecit matet dhe integriteti i çdo force politike. Gërdeci nuk përballohet dhe nuk mund të përballohet as me politikën e vjetër, as me politikën e re të dashurisë. Por përballohet vetëm me politikën e rreptë të ligjit, kjo është pikërisht dhe arsyeja që ne gjykojmë se dita e djeshme ka qenë dhe një ditë mbështetjeje morale për organet e prokurorisë së shtetit të angazhuara me hetimin e çështjes së Gërdecit”, - tha Xhufi. I pyetur se si e komentonte protestën e PS-së, e cila ishte e heshtur, Xhufi tha: “Ishte një mënyrë ndryshe për të kujtuar këtë ngjarje të dhimbshme, siç është vrasja politike, shtetërore e 26 qytetarëve dhe shkatërrimi i një peizazhi të tërë afër Tiranës. Ishte një mënyrë ndryshe, ne shprehëm një mënyrë ndryshe, të tjerët do të gjykojnë se cila ishte mënyra më e drejtë. Unë e thashë që në fillim që dita e djeshme nuk meritonte të ishte një ditë e heshtur, nuk meritonte të ishte një ditë dashurie, por meritonte të ishte një ditë proteste të zhurmshme, më zë të lartë, natyrisht një protestë qytetare si ajo që organizuam ne kundër një qeverie e cila është e zhytur deri në fyt”.

17 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›