E Diel, 1 Nëntor 2026

"Pronësia industriale", ligji sipas standardeve të BE-së, që mbron produktet shqiptare

Sanksionet dhe gjobat që pengojnë tregtimin e mallrave pirate. Ligji përbëhet nga 36 kapituj dhe nga rreth 200 nene

Ervin Koçi

Të gjitha produktet shqiptare që do të mbajnë markën “Made in Albania” dhe që do të synojnë të futen në tregun e Bashkimin Europian, për të konkurruar mandej me produktet e tjera, duhet që më parë të jenë të certifikuara. Një prej kërkesave kryesore që MSA-ja me BE-në përfshijnë në brendi të saj është pikërisht disiplinimi i standardeve për produktet e markës. Kjo gjë parashikohet nga ligji “Për pronësinë industriale”, i cili, me hyrjen e tij në fuqi, synon të respektojë dhe të mbrojë ato marka tregtare për të cilat subjektet kanë marrë licencë ose të drejtë për t‘i tregtuar. Institucioni përgjegjës për mbarëvajtjen e këtij procesi është Drejtoria e Markave dhe Patentave në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Kjo e fundit, në gjithë këto vite, nuk ka arritur të mbrojë ato marka tregtare që subjekte të ndryshme kanë shpenzuar para dhe kohë për t‘i krijuar. Ligji i ri mbron, përveç produkteve që do të mbajnë markën “Made in Albania”, edhe ato që do të futen në tregun shqiptar nga vendet e huaja e sidomos ato të BE-së. Sipas specialistëve të METE-s, rasti tipik u përket veshjeve, markat e të cilave i gjen me çmime të ndryshme, në varësi të markës së tyre të njohur, por ka edhe nga to veshje që i gjen rëndom në tregje me çmime të lira, edhe pse janë markë e njohur. “Këto mallra vijnë nga Lindja e Largët (Azia), të falsifikuara dhe u shiten konsumatorëve për mallra origjinale, sikundër thuhet në gjuhën e përditshme”, - thonë përfaqësuesit e Drejtorisë së Markave dhe Patentave. Ata shtojnë më tej se kujdes do të tregohet edhe për produktet agro-ushqimore shqiptare, një pjesë e të cilave kanë prekur të parat tregun e BE-së.

Funksionimi i ligjit

Në rast të konstatimit të falsifikimit të një marke ose patente nga një tjetër subjekt, ligji ka përcaktuara institutet e sigurimit të padisë, të sigurimit të provave e kështu me radhë. Ligji mbi "Pronësinë industriale" është i përbërë nga 36 kapituj, rreth 200 nene dhe ka si qëllim përafrimin e legjislacionit shqiptar në fushën e mbrojtjes së markave dhe patentave me atë të vendeve të BE-së. Ky është një nga angazhimet që rrjedh në kuadër të MSA-së (neni 73), përfshirë dhe direktivat e KE-së. Në thelb ligji synon mbrojtjen e objekteve të pronësisë industriale që janë: patentat dhe modelet e përdorimit, dizenjot industriale, markat tregtare dhe të shërbimit, si dhe treguesit gjeografikë. Në këtë aspekt, një subjekt i licencuar, për të mbrojtur markën e tij nga pirateria, e regjistron emrin te Drejtoria e Markave dhe Patentave, sikundër veprohet me pasuritë e paluajtshme, të cilat regjistrohen në hipoteka. Nëse drejtuesi i subjektit, i cili ka një markë të tijën ose ka marrë të drejtën ekskluzive për të treguar mallra të markave të njohura, mjafton ta regjistrojë atë te DRMP-ja e më pas t‘u paraqesë institucioneve fiskale pronësinë e markës. Në rastin konkret, doganat, në çastin e kalimit të një malli të falsifikuar, e bllokojnë atë, deri në një moment kur të vendosë gjykata, për kalimin apo jo të tij. Gjatë hartimit të ligjit janë mbajtur parasysh procedurat e reja të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile dhe në Kodin e Procedurës Administrative. E reja që mund të theksohet në këtë drejtim është se procedurat që parashikohen në këtë ligj detajojnë më tej masat e nevojshme për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale, të para në kontekstin specifik të kësaj fushe.

Tregu

Deri sot, për kontrollin e tregut të brendshëm, ka pasur një mangësi ligjore, pasi asnjë organizëm nuk ishte ngarkuar me detyra kontrolli, mbikëqyrjeje për zbatimin e një ligji, i cili edhe ai kishte probleme. Ky “ngërç” i ka detyruar zyrtarët e Komisionit Europian t‘i kërkojnë qeverisë shqiptare marrjen e masave për mbrojtjen e produkteve, të cilat janë të regjistruara me një markë të caktuar. Duke pasur parasysh pozicionin gjeografik të Shqipërisë, aq shumë i përdorur si rrugë transiti për mallrat e falsifikuara ose të kopjuara si mallra origjinalë marke, KE-ja vendosi që në mënyrë të shpejtë të ndryshojë ligji aktual dhe të forcohen strukturat përkatëse. Përsa i përket hyrjes së mallrave nga jashtë brenda tregut të brendshëm, kjo deri në një farë mase kontrollohej nga doganat, të cilat rast pas rasti ngarkoheshin nga gjykatat ose nga vetë subjektet private për mbrojtjen e interesave të pronësisë industriale, ndërkohë që ky kontroll nuk kishte mundësi të kryhej brenda tregut. Tashmë me ligjin e ri, çdo hallkë për funksionimin e saj është e përcaktuar qartë, ndërsa pritet të dalin rezultatet e para, të cilat në thelb do të mbrojnë markat e njohura dhe do të godasin ato të falsifikuara, me të cilat konsumatori shqiptar e ka gjetur veten më komod.

17 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›