E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Akuzat e bëra nga rivalët e mi, shprehje e krizës së tyre politike”

Kreu i PS-së: “Qytetarët na mbështetën në manifestim sepse duan ndryshimin në këtë vend”.

Shaban Sulçe

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka cilësuar akuzat e bëra në drejtim të tij si shprehje e krizës së ideve dhe krizës politike që ka kapur kundërshtarët e tij politikë. Këtë deklaratë Rama e ka bërë gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, ku ka folur për manifestimin qytetar të 15 marsit, të cilin e cilësoi si shprehje të domosdoshmërisë së madhe për ndryshim. I pyetur nga gazetarët se si i komentonte akuzat e bëra në drejtim të tij dhe të familjes së tij, Rama tha: “Akuzat e kundërshtarëve tanë kundër meje dhe familjarëve të mi, sikundër ju e përcaktuat, por edhe më gjerë se kaq, janë shprehja më kuptimplotë e krizës së tyre të ideve, e krizës së argumenteve të tyre, e mungesës së tyre të vizionit dhe të asaj që ata përfaqësojnë; politikën e vjetër të së shkuarës. Ju jeni dëshmitarë se përditë e më shumë, shqiptarët e shqiptaret po përfshihen në këtë valë ndryshimi ndër të tjera dhe për faktin se vlerësojnë atë që ne po bëjmë, duke e kthyer politikën në një hapësirë ku njerëzit takohen, ballafaqohen, diskutojnë çështje të përbashkëta”.

Manifestimi

Kryetari i Partisë Socialiste falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në manifestimin që organizoi më 15 mars Partia Socialiste dhe aleatët e saj. Rama tha se ky manifestim qytetar shprehu domosdoshmërinë për mos harrimin e plagëve të së shkuarës si dhe të domosdoshmërisë për ndryshimin e madh që ka nevojë Shqipëria.
“Ishte shprehje e domosdoshmërisë për të mos harruar plagët e së shkuarës, të cilat mbeten sot e gjithë ditën të hapura, sepse vetëm kështu mund t’i shërojmë. Ishte shprehje e vetëdijes se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të madh, i cili pa asnjë dyshim fillon brenda nesh, fillon mes nesh. Fillon nga përkrahja e njëri-tjetrit në një vend të cilit Zoti i ka falur gjithçka popullit shqiptar, për të jetuar në paqe e mirëqenie, në një vend ku pasuritë dhe potencialet nuk mungojnë, për të bërë të mundur që të rejat dhe të rinjtë të mos jenë rrugëve të papunësisë apo rrugëve të arratisë, për të gjetur një punë matanë kufijve për të mbajtur familjet e tyre”, - tha Rama.

Zgjedhjet
Rama tha se Partia Socialiste, për herë të parë dhe ndryshe nga partitë e tjera, po harton një program qeverisës i cili bazohet mbi shqetësimet dhe sugjerimet e njerëzve, dhe që nuk është një program që bëhet vetëm për të marrë vota. “Besoj se është në sytë e të gjithëve dhe në mendjet e të gjithëve falë edhe kontributit tuaj, faktit që për herë të parë në historinë e lirisë dhe të këtij tranzicioni, një forcë politike e shkruan programin e saj duke u nisur nga shqetësimet dhe sugjerimet e njerëzve dhe harton një program, jo për të marrë votat, por për të qeverisur me votat e marra. Programi ynë i ri qeverisës është një instrument që do të na japë mundësinë të bëjmë gjithçka që do të premtojmë dhe të mos premtojmë atë që nuk bëjmë dot. Ne duam t’i japim jetë, nesër në qeveri, një politike të re, ashtu si kundër i kemi dhënë jetë politikës së re në opozitë”, - tha Rama. I pyetur në lidhje me koalicionin që do ketë PS-ja për zgjedhjet e 28 qershorit, Rama konfirmoi se ky koalicion do të jetë përtej kufijve të vjetër partiakë, duke qenë një koalicion më i madh, koalicioni i bashkimit me qytetarët shqiptarë. “Bashkimi ynë i ri synon pikërisht këtë që ju nënvizuat edhe nga manifestimimi ynë i djeshëm: një koalicion të gjerë qytetar, një koalicion të gjerë njerëzish, që duan ndryshimin dhe që nuk mund dhe nuk duhet të jenë të përjashtuar nga përpjekja për ndryshim, për faktin se nuk janë të përfshirë dhe të rreshtuar në një parti apo në një parti tjetër. Në këtë kuptim unë besoj se ky bashkim i ri që po rritet dita-ditës, do të mishërojë në fushën e betejës zgjedhore një koalicion shumë të madh përtej partive”, - tha Rama.

17 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›