Veliaj: “Protesta jonë, tregues i dëshirës për ti dhënë fund tranzicionit”
Kreu i G99-s, Erion Veliaj, ka falënderuar të gjithë qytetarët që mbështetën dhe morën pjesë në protestën “Mos harro!” të organizuar nga Partia Socialiste. Veliaj tha se protesta tregoi qartë dëshirën e qytetarëve të Shqipërisë për t’i dhënë fund tranzicionit në Shqipëri. “Jemi pa fund mirënjohës për të gjithë ata mijëra qytetarë që dolën dje për të protestuar, për të rifituar dinjitetin, për të dëshmuar që dimë të rrëzohemi dhe të ngrihemi bashkë. Përpara një viti u rrëzuam të gjithë bashkë me atë që ndodhi në Gërdec dhe dje u ngritëm të gjithë bashkë në protestë. Në emër të koalicionit dëshiroj të shpreh mirënjohje për qindra dhe mijëra qytetarë që zgjodhën të ishin pjesë e koalicionit qytetar që kërkon ndryshimin, atë ndryshim nevojën për të cilin e dëshmonin numrat e pafund të njerëzve që mbushën dje sheshin ‘Skënderbej dhe bulevardin ‘Dëshmorët e kombit’” . Kjo protestë ishte treguesi më i qartë se këto 100 ditë do të jenë 100 ditët më të bukura, do të jenë 100 ditë që do t’i japin fund tranzicionit dhe me shpresë do të jenë 100 ditët që do të sjellin ndryshimin”, - tha Veliaj. Sipas Veliajt, beteja e qershorit nuk është vetëm ndaj Berishës, por dhe ndaj Nanos e Metës, që si dy ish-kryeministra, janë në një koalicion me qeverinë aktuale, përgjegjëse për atë që ndodhi në Gërdec.
17 Mars 2009