E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulet çmimi i naftës në botë, tregtarët shqiptarë premtojnë të njetën gjë



Ervin Koçi

Ndërsa çmimi i naftës në bursa ka rreth dy javë që ka pësuar rënie, në tregun tonë kjo ecuri ende nuk është reflektuar. Importuesit e karburanteve deklarojnë se rënia e çmimeve në tregun tonë pritet në fillim të javës së ardhshme, me furnizimet e reja që do të bëhen. Javen e ardhshme sipas tyre, pritet që çmimet e karburanteve në vendin tonë të pësojnë rënie me rreth 5 lekë për litër. Improtuesit e hidrokarbureve hedhin poshtë ndërkohë pretendimet për abuzime nga ana e tyre. Ata thonë se, “çmimet përcaktohen nga konkurrenca në treg dhe në frenimin e rritjes së tyre mund të ndikonte vetëm qeveria, nëpërmjet vendosjes së një TVSH-je fikse për litër dhe jo me përqindje, siç është aktualisht”. Rënia e çmimit të naftës në tregjet financiare ndërkombëtare vijon tashmë prej dy javësh. Në bursa nafta ka arritur kuotën e 123.1 dollarëve për fuçi, por kjo rënie e çmimit nuk është reflektuar deri më sot në tregun tonë. Në pikat e karburanteve nafta e cilësisë së dobët ose ndryshe “D2” shitet me 165 lekë për litër, nafta e cilësisë së parë e njohur ndryshe si “Eurodizel” shitet me 170 lekë për litër, ndërsa benzina ka arritur nivelin e 163 lekëve për litër.

Prodhimi vendas

Aktivizimi i kompanive private në sektorin e naftës bruto ka rritur ndërkohë prodhimin vendas, si dhe ka shtuar edhe fitimet neto. Prodhimi i naftës bruto në Shqipëri pësoi rritje të konsiderueshme gjatë 6-mujorit të parë të vitit, si pasojë e hyrjes në fazën e prodhimit të disa kompanive të reja që gjatë vitit të kaluar qenë ende në fazën e investimit. Vetëm në fushën e Patos-Marinzës, e cila është fusha më e rëndësishme naftëmbajtëse e Shqipërisë, prodhimi gjatë tremujorit të dytë të këtij viti arriti në rreth 1 mijë tonë në ditë, ose 5800 fuçi. Një vit më parë, prodhimi në këtë fushë qe 5200 fuçi në ditë. Gjatë muajve të fundit, 42 puse ekzistuese janë rivënë në punë. Gjatë vitit të kaluar, Shqipëria prodhoi 560 mijë tonë naftë. Rreth gjysma e prodhimit u realizua nga kompania nën pronësi publike “Albpetrol”, ndërsa pjesa tjetër u prodhua nga kompanitë koncesionare. Këtë vit, numri i kompanive që operojnë në këtë sektor pritet të rritet në katër.

Fluturon çmimi

Si pasojë e rritjes së çmimeve të naftës në tregun ndërkombëtar vitet e fundit, edhe nafta shqiptare është shtrenjtuar. Të dhëna nga kompani private tregojnë se çmimi i naftës bruto shqiptare në qershor arriti në 70 dollarë për fuçi, ndërsa për tremujorin e dytë të këtij viti, çmimi mesatar qe 64 dollarë për fuçi. Nafta shqiptare konsiderohet si naftë e cilësisë së ulët. Çmimi i saj varion në 50-60 për qind e çmimit të naftës bruto në Bursën e Londrës. Një pjesë e naftës së prodhuar në Shqipëri rafinohet aktualisht nga Rafineria e Ballshit, ndërsa pjesa tjetër, eksportohet në drejtim të Italisë e vendeve të tjera. Që nga janari i këtij viti, “ARMO” pranoi ta blejë naftën e prodhuar privatisht në vend, me çmim më të lartë nga sa ofrohej nga rafineritë në Itali. Por pavarësisht lajmeve pozitive, ekspertët e fushës thonë se nafta në nëntokën shqiptare është drejt shterimit. Burimi i Patos-Marinzës, i cili është burimi më i rëndësishëm i naftës në kontinentin europian, pritet të shterojë me normat aktuale të shfrytëzimit rreth vitit 2025, tre-katër vjet pas mbarimit të kontratës koncesionare ekzistuese. Vetëm një zhvillim i konsiderueshëm teknologjik mund të mbajë në punë edhe për shumë kohë puset shqiptare.

31 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›