E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH Konsumatoret shqiptare optimiste

 Të dhënat më të fundit të BSH mbi indeksin e ndjeshmërisë ekonomike për vitin 2011, tregojnë se konsumatorët shqiptarë janë shfaqur më optimistë në periudhën e fundit tremujore të vitit. Treguesi i besimit të konsumatorëve ka qenë në tendencë rritje duke filluar që nga muaji prill e deri në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar. Në tremujorin e katërt të 2011, ky tregues shënoi një rritje me 3,1 pikë përqindje, nga rritja me 1,8 pikë përqindje në periudhën e mëparshme. Sipas BSH, përmirësimi i besimit të konsumatorëve gjatë periudhës tetor- dhjetor është ndikuar kryesisht nga përmirësimi i balancës mbi blerjet në shuma të mëdha. Gjithashtu, përmirësimi i situatës së kursimeve dhe pritjet për situatën e ardhshme ekonomike kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e Treguesit të Besimit të Konsumatorëve në vend. Por ndryshe nga konsumatorët është vërejtur një ulje e besimit nga ana e bizneseve, gjë e cila ka ndikuar negativisht në indeksin e përgjithshëm mbi ndjeshmërinë ekonomike. Krahasuar me tremujorët e mëparshëm, në periudhën e fundit të vitit indeksi ka rënë me 7,9 pikë përqindje. Sipas Bankës së Shqipërisë, në keqësimin e treguesit të ndjesisë ekonomike ndikoi dukshëm ulja e besimit në sektorët e ndërtimit dhe shërbimeve, ulje e cila nuk është kompensuar pavaresisht rritjes së besimit në sektorin e industrisë. Në fakt treguesi i besimit në sektorin e industrisë gjatë kësaj periudhe ka shkuar në rritje me 0,8 pikë përqindje. Bizneset në këtë sektor kanë vlerësuar pozitivisht situatën e tyre të punësimit dhe të inventarëve. Ndërkohë që janë shprehur më pak optimistë mbi situatën e përgjithshme të ekonomisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›