BSH: Konsumatori do përballet shpejt me rritjen e çmimeve
Qytetarët shqiptarë duhet të përgatiten për t’u përballur me një rritje të çmimeve të mallrave të konsumit të përditshëm, përfshi këtu ushqimet. Banka e Shqipërisë ka analizuar ecurinë e deritanishme të çmimeve, të cilat kanë pësuar rënie gjatë muajve të parë të këtij viti, për shkak të uljes drastike të çmimeve të mallrave të importit. Por kjo tendencë rrezikon të ndryshojë tërësisht, për shkak të zhvlerësimit të ndjeshëm të monedhës kombëtare, lekut. Ekspertët e institucionit mbikëqyrës bankar argumentojnë se dobësimi i lekut është faktor më përcaktues në ecurinë e çmimeve sesa reduktimi i kostove të mallrave të importit. Sipas tyre, zhvlerësimi i lekut do të përkthehet në çmime më të larta importi, duke ushtruar presione rritëse në nivelin e përgjithshëm të çmimeve në vend. Por, përveç dobësimit të monedhës kombëtare, një tjetër arsye që pritet të ndikojë në rritjen e çmimeve të mallrave të konsumit gjatë muajve të ardhshëm është edhe sezoni turistik. Eksperienca e deritanishme ka treguar se çmimet rriten për shkak të shtimit të kërkesës nga turistët dhe emigrantët, që kthehen në atdhe për pushime.
Çmimet shënojnë nivele të larta, veçanërisht në qytetet bregdetare. Kjo pavarësisht se në treg futet prodhimi vendas bujqësor, i cili të paktën teorikisht duhet të shkaktojë uljen e çmimeve të artikujve ushqimorë.
Ekspertët – qeverisë: “Shpenzimet e ekzagjeruara do të rrisin inflacionin”
Qeveria e re që do të nisë punën në shtator, pas zgjedhjeve parlamentare do të përballet me probleme serioze të ekonomisë në vend. Ekspertë të fushës janë të mendimit se shpenzimet e mëdha buxhetore tipike në një vit elektoral, nuk janë të mirëpritura në kohën kur ekonomia po përballet me efektet e krizës. Edhe të dhënat më të fundit të Ministrisë së Financave na japin tablonë se të ardhurat nuk janë realizuar në masën e programuar, ndërsa shpenzimet janë tejkaluar. Ekonomisti Gjergj Teneqexhiu thotë për mediat se, “këto shpenzime janë një barrë e madhe për buxhetet në vazhdim, pasi kostot e financimit të buxhetit janë rritur ndjeshëm për shkak të interesave të kredive që janë marrë”. Sipas tij është e nevojshme një shpërndarje e njëtrajtshme e investimeve për gjatë gjithë vitit dhe nuk duhet të përqendrohen vetëm në një 6-mujor. Mbi të gjitha shumë investime në një kohë mbartin mungesën e cilësisë. Nga ana tjetër edhe Banka e Shqipërisë në raportin e saj të fundit ka konstatuar se shpenzimet në këtë tremujore kane arritur në kufijtë maksimale. E gjithë kjo situatë për ekonomistët kërcënon inflacion. Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, Sulo Hadëri, shprehet se, qeveria po sillet në mënyrë tipike si në një vit elektoral. Por ndryshe nga herët e tjera ky vit ka një specifikë pasi ekonomia po ndjen efektet krizës. Ekonomia shqiptare ka dhënë efekte të prekjes nga kriza duke nisur që nga rënia e eksporteve, tkurrja e kreditimit, rënia e remitancave, zhvlerësimi i lekut, bllokimi i sektorit të ndërtimit, etj.
1 Qershor 2009