E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre djem shkatërrojnë makinën e një 23-vjeçari në Shkodër, zhduken



Shkodër – Makina e një 23-vjeçari u shkatërrua përmes dhunës në qytetin e Shkodrës dhe policia ka identifikuar si autorë tre djem, të cilët u zhdukën nga vendngjarja dhe tani janë persona në kërkim. Ngjarja ka ndodhur dje në orën 16:10 në lagjen “Bahçallëk” të qytetit Shkodër, kur është dëmtuar me mjete të forta, duke iu thyer xhamat, fenerët dhe shpuar gomat, automjeti tip “Opel Vektra” me targa BZ 492143. Makina, ishte në pronësi të 23-vjeçarit E. D., lindur dhe banues në fshatin Bushat të komunës me të njëjtin emër në rrethin e Shkodrës. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet policore. Pasi u kryen veprimet procedurale dhe nga grumbullimi i informacioneve, rezultoi se autorë të dëmtimit të këtij mjeti janë tre djem. Policia konfirmoi emrat e të dyshuarve: Fred Shkëmbi, 19 vjeç, lindur në fshatin Shllak, komuna Dukagjin dhe banues në qytetin e Shkodrës; Zef Shllaku, 22 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Trush, Komuna Bërdicë e rrethit Shkodër; Drilon Hila, 20 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Bushat, rrethi Shkodër. “Nga ana jonë u bë shpallja në kërkim e këtyre të rinjve dhe po punohet për kapjen e tyre”, - tha policia, e cila shtoi se dosja penale për tre të dyshuarit po i dërgohet prokurorisë për hetim të mëtejshëm të veprës penale të “shkatërrimit të pronës në bashkëpunim”.

Ndjekje si në filma policorë, 23-vjeçari rrethohet nga policia

Shkodër – Një djalë 23-vjeçar në Shkodër i ka befasuar banorët kur në rrethana ende të paqarta ka rrëmbyer një automatik tip “Kallashnikov” dhe me të ka hapur zjarr duke shkaktuar panik. Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës, duke hyrë dita e shtunë, në lokalin e fshatit Omar, komuna Gruemirë e rrethit Malësi i Madhe. Romeo (Fatlum) Rumija, 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Vrakë të Malësisë së Madhe, është personi i dyshuar për ngjarjen. Ai u arrestua sot pak para mesdite dhe tani është në akuzë për prishje të rendit dhe të qetësisë publike dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”. Policia konfirmoi se 23-vjeçari ishte i dënuar më parë për veprën penale të “mbajtjes së lëndëve narkotike”. Në orët e para të së shtunës, 23-vjeçari Romeo Rumija, i njohur dhe me emrin Fatlum, ka hyrë në lokalin e fshatit Omar dhe me një “Kallash” në dorë ka hapur zjarr duke shkaktuar frikë dhe pasiguri te klientin dhe banorët përreth. Pa vonesë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Komisariatit të Malësisë së Madhe, të cilat, pasi kanë bërë identifikimin e autorit, janë vënë në ndjekje të tij. Vetëm pas disa orësh ndjekje policore si në filmat hollivudianë, dje në 10:30, është bërë i mundur rrethimi dhe prangosja e Rumijës në qendër të qytetit të Koplikut. Në një lulishte të qytetit është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, e mbështjellë me një xhaketë të zezë, arma e zjarrit automatik, me të cilën Romeo Rumija ka shtënë në ajër.

1 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›