E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Gjatë vitit 2008 ra numri i ndërmarrjeve të mëdha, u hapën vetëm të vogla



Numri i ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha, të krijuara gjatë vitit 2008, është më i vogël në dekadën e fundit, por bizneset e vogla kanë vijuar të lulëzojnë, bëhet e ditur nga statistikat e regjistrit të ndërmarrjeve të publikuara nga INSTAT. Gjatë vitit të kaluar u krijuan vetëm 15 ndërmarrje me mbi 50 punëtorë, ndërkohë që në vitin 2007 qenë regjistruar 42 ndërmarrje të mëdha. Numri i ndërmarrjeve të mesme që janë me 10-49 punëtorë u rrit me 79 njësi gjatë vitit të kaluar, ndërkohë që në 2007 qenë regjistruar 394 të tilla. Te kategoria e ndërmarrjeve të mesme u regjistruan 19 mijë njësi të krijuara të reja. Shqipëria ka 105 mijë ndërmarrje ekonomike, nga të cilat 97 mijë kanë një deri në katër punëtorë. Vendi numëron 15 mijë kafene, hotele dhe restorante, 50 mijë njësi tregtare, 5 mijë kompani ndërtimi dhe 10 mijë kompani industriale. Afro një në njëzet shqiptarë maxhorenë ka biznesin e vet, por 93 për qind e tyre kanë biznese të vogla dhe janë më së shumti në nivelin e të vetëpunësuarit apo biznesit familjar, sesa në nivelin e sipërmarrësit. Rënia e numrit të ndërmarrjeve të mëdha të krijuara në Shqipëri shpjegohet sipas ekspertëve me mungesën e investimeve të mëdha. Zyrtarisht Shqipëria tërhoqi 800 milionë euro investime të huaja gjatë vitit 2008, por nuk është e qartë se çfarë biznesi kanë prodhuar këto para.

Bursa, çmimi i naftës u rrit për të pestën ditë radhazi

Çmimi i naftës po rritet dita ditës, për të pestën ditë me radhë, duke shënuar në tregjet ndërkombëtare dje çmimin 66 dollarë për fuçi. Çmimet po rriten pasi u morën shenjat për rimëkëmbje nga kriza ekonomike në SHBA, konsumatori më i madh i naftës në botë, gjë që çliroi konsumatorët individë në përdorimin e naftës, duke përmbysur kështu kërkesat dhe çmimet e dobëta të saj. Ministri i naftës në Arabinë Saudite, Ali Naimi, shtoi shqetësimet duke u shprehur se parashikohej që javën e ardhshme çmimi i naftës do të rritej sërish dhe deri në fund të vitit do të arrinte në 75 dollarë për fuçi. Ai ka deklaruar gjithashtu se vit pas viti çmimi do të rritet deri sa të arrijë në nivelin e korrikut të vitit të kaluar me 147 dollarë për fuçi”. OPEC ka njoftuar shkurtimin e prodhimit të naftës me rreth 4.2 milionë fuçi në ditë që në vjeshtën e kaluar në përpjekjet për të ri-ngritur çmimet. Shpesh shkurtimet në OPEC janë injoruar nga anëtarët e kartelës, por kësaj radhe 80 për qind e synimit të tyre, sipas gazetave ekonomike, është arritur. Ky shkurtim i kësaj radhe do të thotë rreth 5 për qind më pak nga kërkesat e botës për naftë. Luhatjet e çmimit të arit të zi në bursat ndërkombëtare reflektohen edhe në tregun vendas, kjo për vetë konjukturën që ka tregu, ku mbi 80 për qind e kërkesës për konsum plotësohet nga importi.

1 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›