Kasat fiskale, nga nesër bizneset që nuk i posedojnë gjoba deri në 100 mijë lekë
Ervin KOÇI
Të gjitha subjektet e biznesit të madh në vend që nuk kanë në përdorim në aktivitetin e tyre kasën fiskale dhe që nuk regjistrojnë të gjitha mallrat dhe shërbimet që ofrojnë, do të gjobiten që nga dita e nesërme. Kjo është norma që parashikon ligji “Për përdorimin e kasave fiskale dhe pajisjeve regjistruese” i cili fillon veprimin e tij që nga data 1 qershor 2009. Ministria e Financave kishte caktuar pikërisht fundin e muajit maj (datën 31 maj), si afatin e fundit për pajisjen e të gjitha subjekteve të biznesit “VIP” me aparaturat e kasave fiskale. Detyrimi kohor është përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, miratuar që në tetor të vitit 2008. Në rast se bizneset nuk i përmbushin afatet, atëherë organet tatimore janë të detyruar që të zbatojnë sanksione me gjoba që shkojnë deri në 100 mijë lekë. Por deri tani procesi për shitjen e kasave subjekteve private dhe instalimi i tyre ka hasur në anomali dhe probleme të shumta, të cilat në pjesën më të madhe janë kundërshtuar nga bizneset, sidomos për procesin e instalimit dhe mirëmbajtjes së rrjetit. Për këtë qëllim shoqatat që përfaqësojnë interesat e biznesve të mëdha në vend, kanë hyrë në bisedime me Ministrinë e Financave, ndaj të cilës kanë kërkuar që të rishikojë të gjithë procesin i cili ka kosto dhe nuk funksionon si duhet, sidomos në aspektin teknik.
Procesi
Megjithse procesi i instalimit të kasave fiskale te subjektet e biznesit të madh ka mbetur prapa dhe ai mund të konsiderohet si i dështuar, sipas Financave “ai ka ecur normalisht, përveç sektorit të karburanteve, të cilëve u është lejuar shtyrja e afatit me kusht lidhja e kontratës brenda datës 31 maj”. Specifikat teknike detyruan Ministrinë e Financave të rishikonte udhëzimin, pasi pikat e shitjes me pakicë të karburanteve përdorin pajisje të veçanta, si pompat, të cilat kërkojnë makineri shtesë dhe investime, deri në përfundimin e procesit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vijon të jetë optimiste rreth përmbushjes së afatit, por zëra të tjerë nga Ministria e Financave thonë se rëndësi për projektin është rezultati, sesa afati. Në këtë pikë, nuk është e vështirë mundësia e shtyrjes së afatit, në mënyrë që t‘u jepet më shumë kohë palëve që të studiojnë tregun. Vetë distributorët e pajisjes me kasa fiskale, për shërbimin e tyre deklarojnë se i kanë të gjitha mundësitë për t‘iu përmbushur detyrimit ligjor, por se problemi real mbetet terreni ku punon biznesi. Përfaqësues të shoqërive thotë se, vendosja e kasave fiskale do të jetë një sfidë e madhe jo vetëm për ta, por sidomos për biznesin. Sipas specialistëve të këtij sektori, problem nuk është çështja te shitja e kasës apo shërbimi që do të ofrohet për mirëmbajtjen e saj.
Çmimi i kasës
Çmimi i pajisjeve fiskale (kasave) varion nga lloji i biznesit, por përgjithësisht mesatarja arrin deri në 450 euro. Më së shumti, tarifa lidhet edhe me vetë kërkesën e biznesit për ta pasur pajisjen sa më efikase dhe bashkëkohore. Aktualisht në vend ushtrojnë aktivitetit privat rreth 90 mijë biznese, ku gati 85 për qind prej tyre janë tatimpagues të vegjël. Pikërisht kjo kategori do të jetë më e vështira për të arritur vendosjen e kasës.
1 Qershor 2009