Berisha, fushate elektorale me rroga e pensione
Eljona Ballhysa
Më 1 maj të vitit të ardhshëm qeveria do të rrisë 10% pensionet e qytetit dhe 20% pensionet e fshatit. Po kështu, qeveria do të bëjë rritje të rrogave të buxhetorëve. Lajmin e ka bërë të ditur dje kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive. Në këtë mbledhje u diskutua kuadri makroekonomik-fiskal për periudhën 2009-2011. Berisha zbuloi gjithashtu se buxheti për vitin 2009 do të jetë 5.2 miliardë dollarë dhe se ministria ka gati draftin, i cili brenda këtij muaji do të paraqitet për miratim në Kuvend. Kryeministri gjithashtu bëri të ditur se rritja e pagave dhe pensioneve do të bëhet më 1 maj për shkak se në qershor do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme, dhe nëse rritja bëhet në qershor, kjo mund të përdoret si kritikë kundër qeverisë. “Këtë e diktojnë zgjedhjet e ardhshme, ndaj, pavarësisht se rëndohet shumë fatura financiare, ne nuk mund të presim të bëhet kjo rritje në qershor 2009, periudhë kur është fushata elektorale, pasi kjo do të shfrytëzohej për kritika ndaj qeverisë. Kështu, rritja nis nga data 1 maj 2009, datë në të cilën nuk ka filluar ende fushata elektorale zyrtare”, - është shprehur kryeministri.
Rritja
Berisha bëri të ditur se ky buxhet përbën një lajm të mirë për 800 mijë familje shqiptare, pasi parashikohet rritje e rrogave të buxhetorëve dhe pensioneve të qytetit dhe fshatit. “Para së gjithash kjo rritje do të thotë ‘ogur i bardhë’ për 800 mijë familje shqiptare, pasi buxheti parashikon një rritje tjetër të madhe të rrogave dhe pensioneve, rritje që ia bën të mundur kësaj qeverie të dyfishojë rrogat e mësuesve, të infermierëve, të mjekëve. Kështu, vitin që vjen, rritja e pensioneve në qytet e fshat nuk do të jetë ashtu siç ka qenë më parë, me 5 dhe 10 për qind, por do të jetë 10 dhe 20 për qind”, - është shprehur Berisha. Ai u bëri thirrje kompanive private që të rrisin dhe ato pagat e punonjësve të këtij sektori. “Ftoj edhe sektorin privat, i cili edhe ai ka bërë progres në rritjen e rrogave, që ta vazhdojë këtë rrugë. Në rast se sipas statistikave të ILO-s, Organizatës Ndërkombëtare të Punës, që bën të ditur se rroga mesatare ka qenë 220 dollarë, tashmë këtë rrogë për punonjësit në Shqipëri e kemi mbi dyfishuar, duke e çuar në 502”, - është shprehur Berisha.
Buxheti
Ai theksoi se buxheti i vitit 2009, përveç rritjes së pagave dhe pensioneve, do të përqendrohet në ndërtimin e rrugëve të vendit. “Buxheti i vitit 2009 arrin në vlerën 5.2 miliardë dollarë. Dua të theksoj se ky buxhet, krahasuar me buxhetin e fundit të qeverisë socialiste, rritet me dyfishin. Të ardhurat në këtë buxhet, pa llogaritur privatizimet, arrijnë në 340 miliardë lekë. Buxheti në tërësi arrin në vlerën 5.2 miliardë dollarë. Krahasuar me këtë qeveri dhe jo me 2 vjet më parë, por me muajin shtator 2007, buxheti i këtij viti do të jetë 1 miliardë dollarë më shumë. Ndërsa buxhetit i vitit 2008 ishte 4.2 miliardë dollarë, buxheti i vitit 2009 është 5.2 miliardë dollarë”, - është shprehur kryeministri. Ai ka theksuar se rritja e buxhetit me 1 miliard dollarë më shumë se vitin që kaloi përbën një lajm shumë të mirë, pasi kjo do të thotë qindra e qindra kilometra rrugë më shumë për shqiptarët, dhjetëra shkolla të tjera të reja, mbështetje e fuqishme e rritjes ekonomike. Kryeministri gjithashtu vlerësoi punën e ministrive që kanë arritur të hartojnë në kohë buxhetin 2009, duke i krijuar mundësinë qeverisë që të paraqesë atë në parlament brenda muajit shtator.
3 Shtator 2008