BSH: “Kreditë e këqija dhe moslikuiditeti rrezikojnë bankat”
Banka e Shqipërisë konstaton se tregu bankar vendas është në rrezik prej nivelit të lartë të kreditimit, si dhe për shkak të mungesës së likuiditetit të tyre. Një konstatim i tillë është bërë dje nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së, në mbledhjen e tij të radhës, ku u mor në shqyrtim dhe u miratua Deklarata “Mbi stabilitetin e sistemit financiar në Shqipëri”. Sipas konstatimeve të këtij këshilli, “sektori bankar ka zgjeruar më tej investimet në kredi dhe letra me vlerë. Ai ka ruajtur nivele të mira të kthyeshmërisë nga veprimtaria, por ka shfaqur rënie të lehtë të treguesve të kapitalizimit dhe të likuiditetit”. Në vijim të këtij raporti thuhej se, “në fund të vitit 2007, portofoli i kredive të sektorit bankar arriti në pothuaj 40 për qind të totalit të aktiveve të sektorit, duke shënuar një rritje me 4.4 pikë përqindje në krahasim me fundin e muajit qershor të po atij viti. Cilësia e kreditimit, ndonëse është ndikuar negativisht nga ritmi i lartë i kreditimit që dikton konkurrenca në treg, ka ndryshuar pak në krahasim me fundin e muajit qershor 2007. Kredia në valutë vijon të mbizotërojë në portofolin e përgjithshëm të kredisë. Si rezultat i investimit në aktive me rrezik më të lartë, sektori bankar ruan prirjen vjetore të rënies së treguesit e kapitalizimit dhe të likuiditetit”. Analiza e karakteristikave të rreziqeve të veprimtarisë financiare tregon për rritjen e nivelit të përgjithshëm të rrezikut dhe paraqet nevojën për një monitorim të vazhdueshëm nga institucionet financiare dhe autoritetet rregullative. “Rritja e nivelit të rrezikut në veprimtarinë bankare është një proces i pashmangshëm, - thotë deklarata e Këshillit Mbikëqyrës, që vijon – se ai diktohet nga hapja e ekonomisë dhe integrimi gradual në tregjet financiare rajonale dhe globale”. Nevoja për të përballuar konkurrencën nëpërmjet rritjes së eficiencës së veprimtarisë, nxit zgjerimin e investimeve në aktive me kthim (dhe rrezik) më të lartë. Integrimi i sistemit financiar shqiptar në tregjet rajonale dhe globale, shoqërohet me rritjen e ndjeshmërisë së tij ndaj zhvillimeve të pafavorshme në tregjet e huaja për shkak të ekspozimeve të drejtpërdrejta ose të tërthorta ndaj subjekteve që dëmtohen nga ato zhvillime. Situata në tregjet financiare ndërkombëtare mbetet e paqëndrueshme, ndaj ndikimi i saj mbi tregun e brendshëm financiar mund të ndryshojë. Presionet inflacioniste në ekonominë e vendit u ashpërsuan dhe u evidentuan qartë në tremujorin e fundit të vitit 2007. Efekteve negative mbi kostot e prodhimit dhe ofertën e mallrave, të krijuara si rezultat i motit të thatë në periudhën e verës dhe të vjeshtës si edhe të situatës së rënduar energjetike brenda vendit, iu shtuan pasojat e një situate të vështirë në tregjet globale të lëndëve të para të energjisë dhe të produkteve ushqimore.
13 Mars 2008