E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja dhe LSI-ja: Raporti i DASH-it konfirmoi dështimet e qeverisë

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë reaguar pas publikimit të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Valentina Leskaj dhe kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Pëllumb Xhufi, edhe pse në prononcime të ndryshme, shprehën të njëjtin qëndrim, duke e konsideruar këtë raport si konfirmim të dështimit të qeverisë në çështjet që janë të lidhura me zbatimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, tha se dështimi i qeverisë në luftën ndaj korrupsionit ka ndodhur si rezultat i mosmarrjes së masave të duhura dhe krijimit të një sistemi efikas prej saj. ”Raporti i Departamentit të Shtetit thekson se korrupsioni mbetet një problem serioz . Kjo është një çështje që cenon më shumë se çdo gjë tjetër lirinë dhe të drejtat e njeriut. Nuk është hera e parë që çështja e korrupsionit vjen në raportet ndërkombëtare pas raportit të BE-së që e quan një problem serioz dhe gjerësisht të përhapur. Kjo tregon dështimin e kartës kryesore të ardhjes në pushtet të qeverisë, që ishte antikorrupsioni. Problemi është se qeveria ende nuk ka masa konkrete për të ngritur një sistem imunitar antikorruptiv. Korrupsioni nuk mund të luftohet kurrsesi me goditje sporadike e ndonjëherë selektive, që kthehen më shumë në shou se sa në një luftë të vërtetë ndaj korrupsionit”, - tha Leskaj. Ndërkaq, kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Pëllumb Xhufi, u shpreh se raporti i Departamentit të Shtetit konfirmoi dështimet e kësaj qeverie, sidomos në luftën ndaj korrupsionit. “Gjendja është tepër e rëndë në lidhje edhe me luftën që po bën qeveria për të luftuar korrupsionin dhe mungesës së transparencës. Në këtë pikë kritikohet dhe puna e bërë nga komisioni i deklarimeve të pasurive për mungesën e trasparencës në lidhje me deklarimin e pasurive të personave që në shumicën e rasteve mashtrojnë këtë institucion për të ardhurat që kanë. Në gjykimin tonë si LSI, raporti i Departamentit të Shtetit është një raport që fotografon dështimin e qeverisë për të përballuar me prioritetet e veta në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe në të njëjtën kohë demaskon qeverinë “Berisha” për të fshehur gjendjen reale të Shqipërisë përsa i përket këtyre çështjeve të sipërpërmendura”, - tha Xhufi.

13 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›