Çfarë përmban projektligji për verifikimin e titujve të pronësisë
Qeveria ka paraqitur në Kuvend një projektligj nëpërmjet të cilit do të shqyrtojë nga e para të gjithë titujt e pronësisë që janë dhënë që nga viti 1991, qoftë edhe sipas Ligjit famëkeq 7501. Projektligji ka si synim të përcaktojë kriteret e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore si dhe do të ngrejë struktura shtetërore, të cilat do të certifikojnë dhe të krijojnë titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore. Sipas qeverisë, objekti i projektligjit do të prekë titujt e pronësisë të krijuar me sipërfaqet që në datën 1.8.1991 që kanë figuruar në regjistrat kadastrale, në zërin “Tokë bujqësore” dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të Ligjit 7501 më datë 19.7.1991. Njëkohësisht, do të verifikohen sipërfaqet e tokave bujqësore që janë administruar nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore që kanë kaluar për ndarje për fshatrat nga vendimet e Ministrisë së Bujqësisë deri në datën 30.4.1998. Objekti i projektligjit do të prekë edhe sipërfaqet e tokave bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, sipas ligjit të vitit 1995. Projektligji përcakton se titujt e pronësisë që janë dhënë që më 1.8.1991, por që nuk kanë figuruar në Hipotekë si tokë bujqësore, do t’u hiqet titulli i pronësisë pasi ajo llogaritet si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore etj.
Sistemi zgjedhor, batuta në mbledhjen e qeverisë
Mbledhja e djeshme e Këshillit të Ministrave është shoqëruar me disa batuta mes ministrave aleatë dhe kryeministrit Berisha. Duke iu drejtuar ministrit të Mjedisit Xhuveli, Berisha kërkoi bashkëpunim më shumë me Bashkinë e Tiranës për përmirësimin e nivelit të ndotjeve në Tiranë. Në këtë pikë, kryeministri është keqkuptuar nga ministrat që njëkohësisht janë kryetarët e partive aleate nisur edhe nga debati mbi reformën zgjedhore. “Sapo fola për bashkëpunim me Ramën për mjedisin, ministrat e mi aleatë të PD-së shkëmbyen shikimet. Ka rastisur kryetari i PS-së, Rama, që të jetë edhe kryetar i Bashkisë së Tiranës. Unë s’kam ç’të bëj, nuk mund ta injoroj Tiranën, pupupupu. Fatmir, unë flas për mjedisin, ty të shkon mendja te reforma, por sot po diskutohet për mjedisin”, - tha Berisha. Ndërkohë, ministri Fatmir Mediu pranoi keqkuptimin. “U fol për bashkëpunim me Ramën, prandaj edhe...”, - tha Mediu.
13 Mars 2008