Xhuveli pro PD-së dhe PS-së, por me lista të hapura
Ndryshe nga të gjitha partitë e vogla parlamentare, kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli, u shpreh se mbështet sistemin zgjedhor proporcional rajonal, sistemin që propozoi Partia Socialiste dhe u mbështet nga Partia Demokratike, por me ndryshimin e vetëm, që listat të jetë të hapura. Sipas Xhuvelit, ky sistem do të jetë më i përshtatshëm për shqiptarët dhe politikën e vendit. Kjo deklaratë e ministrit të Mjedisit Xhuveli, është në kundërshtim me vullnetin e partive të vogla, por duket se kryetari i agrarëve dëshiron të jetë më protagonist në këtë debat. “Sistemi proporcional rajonal është një variant shumë i mirë, ai mund të diskutohet dhe nuk ka përse të anashkalohet nga forcat e ndryshme politike në Shqipëri. Reforma zgjedhore duhet që nga njëra anë të eliminojë fenomenin e ‘Dushkut’, si dhe të mos ngushtojë hapësirat demokratike, por të krijojë hapësirë të plotë në mënyrë që vullneti i zgjedhësve të shprehet në Parlament”, - tha Xhuveli. Kryetari i PAA-së dha edhe disa propozime të reja. Sipas tij, duhet të ketë një pakësim të vendeve në parlament që merret nga maxhoritari nga 100 në 70, si dhe një rritje të vendeve që merren nga sistemi proporcional nga 40 në 70. Së dyti, për të eliminuar “Dushkun e famshëm”, Xhuveli propozoi që të ketë vetëm një fletë votimi dhe fleta për kandidatin të jetë e vlefshme edhe për partinë.
13 Mars 2008