Deputetët e PD-së kundër qeverisë për verifikimin e titujve të pronësisë
Komisioni i Ligjeve përfshihet nga debati, deputetët kundër projektligjit. Madhi: ”Nuk mund t’i shitet toka hajdutit”. Bumçi: ”E bëmë një lëshim me legalizimet, jo më”
Erald Kapri
Deputetët e maxhorancës janë bashkuar me qëndrimet e deputetëve të opozitës, ku kanë kundërshtuar projektligjin e qeverisë “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”. Komisioni i Ligjeve diskutoi ditën e djeshme projektligjin në fjalë, i cili shkaktoi një debat të ashpër mes deputetëve për disa nene të këtij projektligji. Veçanërisht neni numër nëntë i tij bëri që pothuaj të gjithë deputetët, të majtë apo të djathtë, t’i kundërvihen kryetarit të Komisionit, Fatos Beja, i cili ruante pozitat e një “avokati”. Gjatë mbledhjes së komisionit nuk munguan as tensionet mes deputetëve veçanërisht mes atyre të djathtëve, të cilët duhet të mbronin projektligjin e qeverisë por njëkohësisht shprehnin krahun e tyre të djathtë që mbron shenjtërinë e pronës. Pikërisht neni numër nëntë lejon mundësinë e tjetërsimit të pronës në disa raste dhe kjo irritoi deputetët e djathtë. Gjithsesi, në fund komisioni mbajti një qëndrim miratues për projektligjin duke dhënë si mendime dy të tilla, të miratohet si dhe të përcaktohet afat për veprimet juridike. Komisioni i Ligjeve nuk është përgjegjës për miratimin e projektligjit në fjalë, por ia përcolli dy propozimet e mësipërme komisionit përgjegjës, atij të Veprimtarisë Prodhuese.
Pretendimet
“Janë një kategori familjesh për të cilat qeveria ka nxjerrë një vendim për t’i pajisur me tokë bujqësore, por që për shkaqe të ndryshme ky vendim nuk është zbatuar dhe ata nuk kanë marrë tokë. Me këtë projektligj, ata nuk përfitojnë më asgjë. Ata nuk e morën titullin e pronësisë jo për faj të tyre”, - tha deputeti demokrat dhe ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi. Në këtë pikë, kryetari Beja kërkoi mendimin e specialistit të Ministrisë së Bujqësisë. “Është e vërtetë që ky projektligj ndalon ndarjen tokës dhe kështu pengohet zgjidhja për këtë kategori, por ky është një rast shumë specifik”, - tha specialisti. Në lidhje me pretendimin e deputetit Bumçi, Pal Dajçi doli kundër. “Ky ligj i rregullon të gjitha ato probleme që ngre zoti Bumçi”, - tha Dajçi.
Neni 9
“Ky nen nuk mund të lihet kështu, sepse nuk mund t’i shitet toka hajdutit, atij që e ka vjedhur. Sipas këtij neni, shteti i jep të drejtë këtyre personave që kanë përfituar tokë në mënyrë të jashtëligjshme që ta blejnë atë me çmime të reduktuara. Unë jam kundër kësaj, kjo është absurde. Ne ligjërojmë të jashtëligjshmin në këtë mënyrë”, - tha deputeti republikan Arian Madhi. Deklarata e Madhit është mbështetur nga Aldo Bumçi. “Unë nuk mund të pajtohem me këtë nen. Këtu jo vetëm shkelen të drejtat e njeriut, por ai është kundër të gjitha parimeve tona. Si mund t’i ligjërohet toka e vjedhur një personi apo qoftë edhe një pjesë toke që ka marrë mbi atë që i takonte . Nuk mund ta bëjmë këtë lëshim. Ne bëmë një lëshim për legalizimet duke shkelur të drejtën e pronës pasi aty bëhej fjalë për njerëz që kishin ngritur shtëpi. E bëmë këtë sepse nuk mund të kthenim botën përmbys dhe t’u thoshim atyre njerëzve ikni nga keni ardhur. Por nuk kemi pse e bëjmë përsëri këtë lëshim dhe kur bëhet fjalë për të legalizuar ata që e kanë përfituar tokën në mënyrë të jashtëligjshme. Unë mendoj që kjo tokë t’i kalojë fondit për kompensimin e ish-pronarëve ose shtetit për interes publik”, - tha Bumçi. Në mbrojte të kësaj pike, specialisti i Ministrisë së Bujqësisë tha se është formuluar kështu pse është nisur nga fakti që kjo tokë përdoret për 17 vjet nga këta njerëz dhe për të nuk ka patur asnjë ankim. Sipas tij, kur bëhet fjalë për 200 metra, nuk mund t’ia marrësh këtë dikujt dhe t’ia japësh një tjetri. Kryetari i Komisionit, Beja, e shtroi çështjen më ndryshe. “Çështja shtrohet në parim. Ju thatë që me këtë ligj nuk jepet tokë, ndërkohë që ky nen jep tokë. Kjo ka të bëjë me Kushtetutën. Shtrohet pyetja e kujt është toka, kush është pronari. Dhënia e titujve të pronësisë është gjëja më delikate”, - tha Beja. Pandeli Majko kërkoi nga ana e maxhorancës përgjegjësi në lidhje me këtë projektligj. “Nëse doni t’i prisni në besë këta njerëz dhe pas 17 vitesh t’u thoni që s’ka pronë për ju, mendojeni mirë këtë punë”, - apeloi Majko.
13 Mars 2008