E Diel, 1 Nëntor 2026

Malli kontrabandë, ndalohet tregtari i veshjeve dhe produkteve kozmetike



TIRANË – Një tregtar produktesh kozmetike është ndaluar nga policia pasi i është gjetur në pikën e shitjes, në tregun çam në kryeqytet, por edhe në magazinat e tij një sasi malli e padeklaruar. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se agjentët e seksionit Kundër Krimit Ekonomik Financiar kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Julian Kapedani, 35 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, pasi kishte futur një sasi të madhe malli kontrabandë. Operacioni për ndalimin e tij është bërë në mëngjesin e ditës së djeshme, rreth orës 07.50. Forcat policore ushtruan kontroll në automjetin tip Lançia, me targë TR 7114 S.
Pas kësaj, policia ka ushtruar kontroll në banesën e tregtarit të parfumeve, të cilën ai e kishte përshtatur si magazine, në afërsi të tregut Çam. Sipas policisë, tregtari ruante aty mallra kontrabandë, të cilat vinin nga Italia dhe vende të tjera të Europës.
Burimet e policisë thanë se gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale mallrat e mëposhtëm: 637 copë parfume të llojeve të ndryshme; 25 000 copë buzëkuq, pudra rimele, penela, lapsa, manikyr dhe kremra të llojeve të ndryshme
10 000 copë shampo të llojeve të ndryshme; 521 copë bojë flokësh, 104 copë kremra; 7921 copë tone për sytë; 122 copë mostra parfumesh; 75 copë parfume “After Shave” dhe shumë produkte të tjera kozmetike. Po ashtu, Kapedanit iu sekuestruan edhe një sasi e konsiderueshme veshjesh. Policia tha se ka bllokuar edhe makinën tip Lançia”, të tregtarit Julian Kapedani, i cili është dërguar për ndjekje penale me akuzat e “Tregtimit dhe transportimit të mallrave kontrabandë” dhe “Ruajtjes apo depozitimit të mallrave kontrabandë”.

“Çmontimi” vazhdon, edhe 7 në pranga për vjedhje mjetesh

TIRANË - Operacioni “Çmontimi” kundër rrjeteve të vjedhjes së makinave ka vazhduar edhe gjatë d[y ditëve të fundit, duke sjellë arrestimin e dy grupeve të tjera. Burimet zyrtare thonë se strukturat e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë së Kavajës realizuan aksionin policor të koduar “Çmontimi 2”, duke goditur një grup të strukturuar kriminal, i përbërë prej 7personash, të implikuar për një sërë vjedhjesh të automjeteve, aktivitet i shtirirë në disa qytete të Shqipërisë”. Sipas tyre, të arrestuarit janë: Fatmir Marku, 23 - vjeç, lindur dhe banues në Shkodër; Bledi Zefi, 26 - vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Vau i Dejës; Elidon Sokoli (Marku), 33 - vjeç, lindur dhe banues në Shkodër: Irena Boduri, 28 - vjeç, lindur dhe banuese në Shupenzë Dibër. “Arrestimi i tyre u krye sepse dy ditë më parë janë kapur në flagrancë, në segmentin rrugor Golem-Kavajë, pasi në bashkëpunim me njëri - tjetrin në periudha e vende të ndryshme, dyshohet se kanë shtrirë aktivitetin e tyre kriminal në disa qytete të vendit. Po ashtu, policia e Tiranës bën të ditur se u ndaluan edhe 3 shtetas të tjerë, të dyshuar si bashkautor në vjedhjet e automjeteve, të cilët u kapën në banesat e tyre, të ndodhura në zonat e Shllakut, Toplanës, Thermës së rrethit të Shkodrës: Policia e kryeqytetit thotë se u ndaluan shtetasit: Nikoll Delijaj, 30 vjeç, lindur e banues në Shkodër; Kujtim Fermasi, 35 vjeç, lindur e banues në Shkodër dhe Alfred Krepi, 44 vjeç, lindur e banues në Shkodër. Ata dyshohet se kanë vjedhur mjetin tip benz, me targa KJ 0687 A, automjetin tip BMV, me targa të huaja BC 695 CG dhe automjeti tip BMV, me targa EL 1227 C, i cili dyshohet të jetë vjedhur në qytetin e Elbasanit. Personat e ndaluar, dyshohet se kanë kryer vjedhje edhe në disa rrethe të tjera. Ndërsa në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar gjashtë automjete të vjedhura, një sërë targash të Kosovës, ndërkohë që po punohet intensivisht, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Kavajës, për të dokumentuar tërësisht implikimin e tyre edhe në vjedhje të tjera të ndodhura në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

14 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›