Ekstradohet nga Holanda, u denoncuar për shfrytëzim prostitucioni
TIRANË – Një person i kërkuar nga Drejtësia për shfrytëzim prostitucioni është ekstraduar nga Holanda dhe pritet të nisë procesi gjyqësor ndaj tij për akuzat që janë ngritur nga një vajzë për shfrytëzim prostitucioni dhe ushtrim dhune në Gjermani. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se dje, në orën 15:30, Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tiranës kreu ekstradimin nga Holanda, drejt Shqipërisë të shtetasit shqiptar Adrian Luan Mërtiraj, 41 vjeç, lindur në Tiranë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 05.12.2007, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për këtë shtetas, për kryerjen e veprës penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”. Shtetasja E. H. ka bërë një kallëzim për Mërtirajn. Sipas dëshmisë së saj, ky shtetas e ka mashtruar duke e marrë në Gjermani, përmes bashkëshortes së tij, Krista R., e cila ishte shtetase gjermane. Atje ajo është pritur nga Mërtiraj dhe është sistemuar në një hotel. Me kalimin e kohës ai i ka kërkuar asaj të prostituojë dhe kundërshtimi i së dëmtuarës e ka acaruar atë, duke ushtruar dhunë mbi shtetasen E. H. “Që nga ajo kohë e në vazhdim e dëmtuara është detyruar me forcë të ushtrojë prostitucion nën ndikimin e dhunës çnjerëzore të të pandehurit”, - thonë burimet zyrtare. Sipas tyre, në gusht 2007, e dëmtuara është shtruar në urgjencën e Spitalit të Essenit në Gjermani, pasi ishte rrahur egërsisht nga i pandehuri”. E ndihmuar nga një shtetas kosovar ajo është larguar më pas drejt Shqipërisë, ku ka depozituar dhe kallëzimin përkatës. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas ky shtetas iu dorëzua dje përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Box 1
Policia kthen vajzën e larguar nga banesa
CËRRIK – Pas rreth dy javësh policia ka arritur të identifikojë dhe gjejë një vajzë, e cila ishte denoncuar e zhdukur nga familja që prej fundit të muajit tetor. Burimet zyrtare pohojnë se mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 20:00, është bërë e mundur kapja e shtetases Marsida Pupulaku, 18 vjeçe, lindur e banuese në Lagjen Nr. 1, në Cërrik, shtetase kjo e shpallur në kërkim policor më datë 30 tetor për largim nga banesa. Sipas deklarimeve, kjo shtetase është larguar me dëshirën e saj. “Nga ana jonë, pasi u kryen veprimet procedurale, shtetasja Marsida Pupulaku iu dorëzua familjarëve të saj”, - thuhet në deklaratën e policisë.
Qëllon bashkëshorten me levë në kokë
MALIQ – Një person ka qëlluar me levë në kokë disa herë bashkëshorten e tij, e cila ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital, por më pas është prangosur nga forcat e policisë së Korçës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se kanë arrestuar dje shtetasin Qemal Limollari, 51 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Goç të Maliqit. Sipas tyre, ditën e enjte, rreth orës 10.00, në oborrin e shtëpisë së tij është konfliktuar për motive të dobëta me bashkëshorten, shtetasen M. Limollari, të cilën e ka qëlluar disa herë në kokë me një leve hekuri, duke e lënë pa ndjenja. “E dëmtuara është transportuar për në Spitalin civil të Korçës, ku vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore”, - i thanë burimet policore. Ndaj Qemal Limollarit kanë nisur hetimet për veprën penale të “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë”.
Dy persona nga Elbasani në hetim për rrahje
ELBASAN – Dy persona nga qyteti i Elbasanit janë vënë në hetim në gjendje të lirë pasi kanë keqtrajtuar një shtetas. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dy ditë më parë, rreth orës 16:30, ka filluar procedim penal në gjendje të lirë në ngarkim të Shpëtim Gica, 38 vjeç, lindur e banues në lagjen “11 Nëntori” dhe Artur Bilalit, 41 vjeç, lindur e banues ne lagjen “Vullnetari” të qytetit të Elbasanit. Sipas tyre, procedimi filloi pasi, pranë godinës së Albapostës, në lagjen “28 Nëntori”, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasit e lartpërmendur kanë goditur me mjete rrethanore, duke i shkaktuar dëmtime në trup, shtetasin Florenc Brahja, 32 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan. “Materialet iu kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime te mëtejshme, pasi dy të ndaluarit akuzohen për veprën penale ‘Plagosje e lehtë me dashje’”, - përfundojnë burimet policore.
14 Nentor 2009