E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjarët akuzojnë policinë: U vetëvar në qeli pasi e torturuan



DURRËS - Familjarët e të riut që u vetëvra në mjediset e Komisariatit të Policisë së Durrësit dy ditë më parë akuzojnë policinë për vrasjen e njeriut të tyre dhe kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes. Gjylserina Bushi, bashkëshortja e viktimës, e cila ka qenë në polici bashkë me Klodianin dy orë para aktit të vetëflijimit, deklaroi se dhuna e ushtruar ndaj tij është bërë shkas për tragjedinë e familjes së saj. Ajo ka pohuar se nuk kishte asnjë motiv që ta bënte një gjë të tillë.
Klodian Bushi u shoqërua në polici pasditen e së enjtes bashkë me gruan e tij, pasi akuzoheshin për vjedhjen e një banese. Por, rreth orës 20:00 ai është gjetur thuajse i pajetë në qelinë e komisariatit, pasi ishte varur me rrobat e brendshme të tij.
Akuza
Vdekja e Klodian Bushit në mjediset e policisë ka ngritur shumë dyshime dhe akuza për forcat e rendit. Të parët që fajësojnë policinë për aktin e vetëvrasjes janë familjarët dhe të afërmit e tij. Ata thonë se dhuna e policisë ka shkaktuar këtë tragjedi. 27-vjeçari, i arrestuar disa herë për vjedhje, është babai i një vajze të vogël. “Nuk kishte arsye për ta bërë këtë veprim. Ne shkonim shumë mirë dhe unë jam e bindur se ndaj tij kanë ushtruar dhunë”, - thotë bashkëshortja e viktimës, Gjylserina Bushi. 27-vjeçari Bushi ishte i papunë dhe askund nuk kishte gjetur përkrahje. Gjylserina thotë se familja e saj nuk ka përfituar ndihmë as në zyrën e punës dhe as në Departamentin e Ndihmës Sociale në Bashki.
Arrestimi
Klodian Bushi është prangosur dhe dënuar disa herë për vjedhje, por grabitja e radhës dhe futja në qeli ka përfunduar tragjikisht. Vetëm dy orë pasi është shoqëruar në komisariatin e policisë për vjedhje, i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur me rrobat e brendshme në mjediset e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Durrësit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 20:00, është gjendur i vetëvaruar shtetasi Klodian Bushi, 27 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 2 të qytetit bregdetar, i dënuar më parë 5 herë për veprën penale të “vjedhjes”. Sipas tyre, Bushi pasditen e së enjtes është thirrur së bashku me bashkëshorten e tij për t’u paraqitur në polici, pasi ndaj tij kishte nisur procedim penal për një vjedhje të ndodhur më 9 nëntor në banesën e shtetases L. K., banore në Lagjen Nr. 11. Burimet shtojnë se 27-vjeçari kishte marrë sende me vlerë (bizhuteri të florinjta, 5 orë dore si dhe një telefon të tipit “Nokia”), të cilat janë gjetur në banesën e personit të ndaluar dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. “Ndërkohë që punonjësit e policisë, së bashku me prokurorin e çështjes, po kryenin veprime procedurale me shtetasen Gj. Bushi (bashkëshorten e tij), shtetasi Klodian Bushi është vendosur në mjediset e shoqërimit të Komisariatit të Policisë së Durrësit. “Rreth orës 20:00, punonjësi i policisë, me detyrë ndihmësspecialist për rendin, i planifikuar me shërbim, konstaton se shtetasi Klodian Bushi ishte vetëvarur në derën kryesore të dhomave të shoqërimit nga ana e brendshme e saj”, - thotë deklarata e policisë. Sipas tij, Bushi kish përdorur veshjet e brendshme të tij (benevrekë) me ngjyrë blu. “Menjëherë janë njoftuar shërbimet e tjera të policisë që ndodheshin në Drejtorinë e Policisë dhe duke parë gjendjen e tij të rëndë, e kanë dërguar në spitalin rajonal të qytetit për ndihmë të specializuar mjekësore”, - thotë burime zyrtare të Policisë së Durrësit, sipas të cilave, i ndaluari ka gjetur vdekjen pak minuta pas mbërritjes së tij në spital. Ekspertë të policisë dhe të prokurorisë po hetojnë çështjen, ku në ekip janë përfshirë edhe specialistë të kriminalistikës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

Vrasja e Robert Mitros, kapet edhe autori i tjetër i krimit në Belgjikë

TIRANË - Menjëherë pas ekstradimit të Sokol Aliajt, një ndër të akuzuarit për vrasjen e Robert Mitros disa vite më parë në Durrës, edhe një tjetër bashkëpunëtor në krim është ndaluar nga policia belge pas kërkesës së lëshuar nga Policia shqiptare. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se është kapur në Belgjikë shtetasi Ismet Boriçi, i kërkuar për vrasje, falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës dhe Interpol Brukselit. Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tiranës informon se dje është arrestuar në kryeqytetin belg, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, shtetasi Ismet Boriçi, 33 vjeç, lindur në Fier. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi më datë 19 shkurt 2004, Gjykata e Durrësit ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë "arrest në burg" për kryerjen e veprës penale të "vrasjes me paramendim në bashkëpunim". "Më 27 janar të vitit 2004, Boriçi, në bashkëpunim me shtetasit Platon Pepa dhe vëllezërit Fredi dhe Sokol ALIAJ, kanë rrëmbyer, keqtrajtuar dhe vrarë në Durrës shtetasin Robert Mitro", - thotë njoftimi zyrtar i Policisë së Shtetit. Prangosja e Boriçit është bërë thuajse në të njëjtën kohe me ekstradimin e Sokol Aliajt nga Holanda, i cili dy ditë më parë mbërriti në vendin tonë, ku do të nisë procesi gjyqësor për vrasjen e kryer në bashkëpunim.

14 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›