Gjika, 90 mijë euro për kualifikimin
Presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, ka vënë 90 mijë euro në dispozicion të skuadrës, nëse kuqezinjtë do të kualifikohen për në turin e tretë të Ligës së Evropës. Kreu i Bashkisë së Vlorës, që është njëherazi edhe drejtuesi kryesor i klubit, mësohet se pas ndeshjes u ka thënë lojtarëve se shpërblimin e UEFA-s, për kalimin e turit (90 mijë euro), do t’ua japë atyre në rast se arrijnë të kalojnë skocezët e Modhëruellit. Lajmin e kanë pohuar vetë futbollistët dje teksa ishin duke aplikuar për viza pranë Ambasadës Daneze. Gjika, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ka shprehur besim tek ekipi i tij, por ka pohuar njëkohësisht se kuqezinjtë duhet të kishin fituar me rezultat më të thellë, pasi patën shumë raste për të shënuar. Ai i ka garantuar mbështetje ekipit dhe u ka bërë komplimente lojtarëve për grintën që shfaqën në fushë. “Parandieja një fitore të thellë ndaj Modhëruellit dhe për këtë arsye me gjithë stafin tim pranë bashkisë dhe në bashkëpunim të ngushtë me drejtuesit e klubit, i ishim përveshur punës për të rregulluar ambientin si për festë”, ka thënë Gjika.