Igli Tare: Taçi i denjë për Bolonjën
Media italiane ka shfaqur një interesim të jashtëzakonshëm për Rezart Taçin, favoriti kryesor për të blerë klubin e Bolonjës. E përditshmja “Il Corriere” ka marrë edhe mendimin e Igli Tares, ish-kapiteni i Shqipërisë, i cili aktualisht është drejtor sportiv i skuadrës së Lacios. Ish-sulmuesi ka folur me superlativa për biznesmenin shqiptar, duke u shprehur se ai është në gjendje të menaxhojë mjaft mirë një klub të madh si Bolonja. “Taçi është një person shumë pozitiv, i aftë, karizmatik dhe i denjë për të menaxhuar në mënyrën e duhur një klub të Serisë A. Bolonja është një klub shumë i rëndësishëm, tek i cili jam i bindur se Taçi do të bëjë vërtetë gjëra të mira – ka thënë Tare – Problemi i vetëm është të qenit shqiptar: në të kaluarën erdhëm këtu të uritur dhe kërkuam një jetë më të mirë, tani rikthehemi për të blerë një klub të Serisë A. Bota rrotullohet...”. Tare në të kaluarën ka luajtur me skuadrën e Bolonjës, me të cilin ka shënuar 11 gola. Biondi është padyshim një nga shqiptarët më të njohur në vendin fqinj dhe konsiderohet si një njeri me shumë influencë te skuadra e Lacios.