E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: “Kriza e çmimeve drejt thellimit deri në 2009-n”

Shteti, shkaktari kryesor për shtrenjtimin e jetesës. Shërbimet publike përkeqësojnë inflacionin me 0.7 për qind

Ervin Koçi

Banka e Shqipërisë paralajmëron një regres në vazhdim në sektorët më kyç të ekonomisë, i cili do të vijë si pasojë e thellimit të varfërisë në vend dhe mungesës së kapaciteteve blerëse dhe punuese. Kjo gjë, sipas BSH-së, do të zgjasë deri në gjysmën e parë të vitit 2009 dhe do të prekë sektorë si bujqësia dhe ndërtimi. Këtë gjë BSH-ja e justifikon me administrimin jo të mirë të reformave në sektorët e bujqësisë dhe të ndërtimit nga ana e qeverisë. Konkluzioni është dhënë pas mbledhjes më të fundit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, i cili ka analizuar zhvillimet në ekonomi gjatë tremujorit të parë të vitit 2008. Sipas këtij konkluzioni, në rrethanat aktuale merr një rëndësi të dorës së parë shfrytëzimi racional i tokës bujqësore, duke synuar shtimin e sipërfaqeve të mbjella, si dhe produktivitetin për njësi. Për këtë qëllim, BSH-ja rithekson domosdoshmërinë për kryerjen e reformave të thella strukturore, që kanë të bëjnë me tokën, pasurinë, sistemin grumbullues dhe atë shpërndarës, si dhe me infrastrukturën. Sipas BSH-së, “zhvillimi i prodhimit vendas do të frenonte rritjen e mëtejshme të çmimeve në artikujt bujqësorë”. Gjithashtu, ekspertët e ekonomisë së mbikëqyrjes bankare kanë konfirmuar se dega e ndërtimit vazhdon të karakterizohet nga një situatë jo e qartë edhe në tremujorin e parë të vitit 2008. "Ngadalësimi i ritmit të rritjes së aktivitetit ekonomik të sektorit të ndërtimit, krahasuar me ecurinë mesatare të viteve të fundit, kërkon vëmendje, nisur nga roli dhe kontributi që ky sektor ka në ekonominë vendase", - është shprehur Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani.

Përgjegjësia e shtetit Qeveria ka dhënë ndikimin e vet jo të vogël në thellimin e inflacionit në vend, përmes rritjes së çmimeve për shërbimet publike. BSH-ja ka konstatuar se efekti i çmimeve të administruara në normën vjetore të inflacionit ka qenë 0.7 për qind dhe pas ushqimeve është elementi i dytë që e ka kërcyer inflacionin në nivelet aktuale. “Lëvizja e çmimeve të administruara, e cila konsiston në rritjen e çmimit të energjisë elektrike në muajin mars 2007, ka pasur një ndikim të konsiderueshëm në inflacion. Pa këtë efekt, norma vjetore e inflacionit do të ishte vetëm 3,7 për qind”, thotë Banka Qendrore. Sipas Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, “për pjesën e mbetur të vitit dhe deri në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, pritet që normat e rritjes vjetore të nivelit të përgjithshëm të çmimeve të luhaten edhe për pak kohë rreth vlerave aktuale, duke u rikthyer në fund të vitit brenda intervalit të tolerancës së synuar nga politika monetare”, - thuhet në deklaratën e Këshillit. Ky është parashikimi në një ecuri normale. Por banka nuk përjashton rreziqet në vazhdimësi. “Rreziqet që mund të devijojnë supozimet e bëra në parashikim janë të pranishme dhe në pjesën më të madhe janë të vendosura nga kahu i ofertës së jashtme dhe të brendshme. Kostot e shkaktuara nga rritja e çmimeve të lëndëve të para, të naftës dhe të produkteve ushqimore, pritet të vazhdojnë të ushtrojnë presione të drejtpërdrejta mbi çmimet e konsumit dhe të japin ndikime të tërthorta mbi çmimet e prodhimit”,- vijon deklarata. Efektet e raundit të dytë janë pritshmëritë për rritje të çmimeve, si pasojë e rritjes së kostove të prodhimit, presioneve për paga më të larta etj., të cilat shkaktojnë rritje të mëtejshme të çmimeve. Ndërtimi drejt kolapsit Një shqetësim tjetër mjaft i madh, tashmë jo vetëm për BSH-në, por edhe për ndërkombëtarët, mbetet sektori i ndërtimit, i cili po kalon një krizë të stërzgjatur. “Dega e ndërtimit vazhdon të karakterizohet nga një situatë jo e qartë edhe në tremujorin e parë të vitit 2008. Ngadalësimi i ritmit të rritjes së aktivitetit ekonomik të sektorit të ndërtimit, krahasuar me ecurinë mesatare të viteve të fundit kërkon vëmendje, nisur nga roli dhe kontributi që ky sektor ka në ekonominë vendase”, thuhet në deklaratën e BSH-së. Pak kohë më parë, shefi i Misionit të Fondit Monetar për Shqipërinë, Gerwin Bell, deklaroi në Tiranë se kriza e ndërtimit mund të shndërrohet në një rrezik të fortë për rritjen e kredive të këqija. Kjo do të zhyste sistemin financiar në një kolaps.

29 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›