E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset zgjerojnë portofolin e kredive, 22 miliardë lekë të marra nga bankat



Konkurrenca në tregun bankar ka shënuar një tjetër rritje të kredisë për ekonominë. Sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, konkurrenca ka ulur normën e interesit për kredinë në lekë. “Normat e interesit për kredinë e re në lekë kanë rënë ndjeshëm, duke ngushtuar diferencën me interesat e tjera për monedhën vendase, si një shenjë rritjeje e konkurrencës në këtë treg”, - tha guvernatori Fullani. Sipas tij, kredia për ekonominë gjatë tremujorit të parë të vitit 2008 është rritur mesatarisht me 47.3 për qind në terma vjetorë, dhe pse shënon ritme në rënie. “Në terma absolutë kredia vazhdon të zgjerohet sikurse edhe një vit më parë, me rreth 22 miliardë lekë. Në muajin mars, raporti i kredisë ndaj parasë së gjerë dhe ndaj PBB-së arriti nivelin e 40.9 për qind dhe 31.4 për qind, respektivisht”, - shtoi Fullani. Në këtë drejtim janë bankat tregtare ato që shfaqen më aktive në tregun e huadhënies, duke thelluar rolin e tyre si ndërmjetës financiarë. Të ardhurat rezultojnë të jenë në rritje, në krahasim me shpenzimet për investime, që sipas Fullanit, për këtë periudhë të vitit kanë pësuar tkurrje, ndërsa huamarrja e Qeverisë është kryesisht në tregun e brendshëm. Nga ana tjetër, rritja vjetore e parasë rezultoi 11 për qind në fund të tre muajve të parë të 2008-s. “Sistemi bankar ka furnizuar ekonominë me mjete monetare kryesisht nëpërmjet injektimit të parasë në formën e kredisë për sektorin privat”, - tha Fullani. Por BSH-ja mbetet e shqetësuar dhe mendon se stabiliteti financiar i vendit kërcënohet nga një sërë faktorësh. “Rreziqet në këtë drejtim janë të lidhura me ambientin global, me atë rajonal dhe në rrafshin e brendshëm me shtimin e vrullshëm të kredisë për ekonominë. Përveç rrezikut të kredisë dhe rrezikut të kursit të këmbimit, ekzistojnë dhe rreziqe të lidhura me faktorë të jashtëm. Zgjerimi i krizës së kredive në Europë, ngadalësimi i mundshëm i aktivitetit ekonomik të ekonomive partnere, prania e të njëjtave institucione bankare në shumicën e vendeve të rajonit, janë zhvillime që kërkojnë vëmendje të vazhdueshme", - përfundon deklarata e BSH-së.

29 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›