E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Në 2008, ekonomia e qëndrueshme, kriza nuk ndikoi



Ndonëse viti 2008 u cilësua si viti kur kriza ekonomike u shfaq në botë, efektet e saj në ekonominë e vendin tonë duket se nuk janë ndjerë shumë. Raporti vjetor i Bankës së Shqipërisë për vitin 2008 vlerëson të qëndrueshme ecurinë makroekonomike dhe stabilitetin financiar të kënaqshëm. Raporti i BSH-së ka mbërritur në Kuvend për t’u njohur nga deputetët dhe më pas për të kaluar në Parlament. BSH vlerëson se me gjithë luhatjet e ndjeshme, viti 2008 u karakterizua nga një stabilitet i kënaqshëm i çmimeve të konsumit. Inflacioni vjetor u luhat përgjatë intervalit 2.2 - 4.6 për qind, duke qenë brenda tolerancës së Bankës së Shqipërisë prej 2-4 për qind gjatë pjesës më të madhe të vitit. Norma mesatare e inflacionit vjetor gjatë vitit 2008 shënoi vlerën 3.4 për qind, duke qenë afër objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3 për qind. Rënia e çmimeve të lëndëve bazë në tregjet botërore, e reflektuar në çmimet e naftës dhe të ushqimeve në tregun vendas, pritjet e ankoruara inflacioniste, nivelet e kontrolluara të zgjerimit monetar, si dhe realizimi i shpenzimeve buxhetore në përputhje me programin, ndihmuan në krijimin e një ambienti të përshtatshëm makroekonomik për kontrollin e presioneve inflacioniste. Rënia e inflacionit vjetor gjatë gjashtëmujorit të dytë tregoi se goditjet e faktorëve të ofertës gjatë gjysmës së parë të vitit nuk u reflektuan në efekte të raundit të dytë apo në rritjen e pritjeve inflacioniste të agjentëve ekonomikë. Banka e Shqipërisë ndoqi një politikë monetare neutrale gjatë vitit 2008. Norma bazë e interesit u mbajt e pandryshuar në nivelin në 6.25 për qind. Niveli i saj ishte në përputhje me mbajtjen e inflacionit brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë dhe ankorimin e pritjeve inflacioniste rreth këtij objektivi, në kushtet kur kërkesa e brendshme dhe inflacioni i importuar ishin në nivele të larta. Tremujori i fundit i vitit 2008 paraqiti një sjellje mjaft të ndryshme të treguesve ekonomikë. Nën ndikimin e krizës financiare dhe ekonomike botërore, aktiviteti ekonomik dhe presionet inflacioniste erdhën në rënie gjatë kësaj periudhe. Në linjë me parashikimet e Bankës së Shqipërisë, norma vjetore e inflacionit shënoi rënie të vazhdueshme, duke qëndruar mesatarisht në nivelin 2.5 për qind gjatë tremujorit të fundit dhe duke shënuar vlerën 2.2 për qind në muajin dhjetor.

Deficiti buxhetor, në 2008 rezulton 60.2 miliardë lekë

Viti 2008 u mbyll me një deficit buxhetor prej 60.2 miliardë lekësh, duke u zgjeruar me rreth 76 për qind krahasuar me një vit më parë. Rreth 59 për qind e deficitit buxhetor është financuar nëpërmjet huamarrjes së jashtme. Në raport ndaj PBB-së, deficiti buxhetor vlerësohet të ketë arritur nivelin 5.66 për qind, duke u zgjeruar me rreth 2.2 pikë përqindjeje nga një vit më parë.

Për vitin 2008, borxhi publik vlerësohet të jetë rreth 55.6 për qind të PBB-së, kundrejt nivelit 52.2 për qind të shënuar një vit më parë. Kjo rritje i atribuohet kryesisht rritjes së huamarrjes së jashtme për financimin e shpenzimeve kapitale. Gjatë vitit 2008, huamarrja e brendshme nëpërmjet emetimit të letrave me vlerë është rritur rreth 15 miliardë lekë. Gjatë vitit 2008, stoku i borxhit të qeverisë në bono thesari dhe obligacione 3-vjeçare është zvogëluar, duke rritur në një masë më të madhe huamarrjen në obligacione 5 dhe 7-vjeçare. Kjo reflekton strategjinë e ndjekur nga Ministria e Financave për zgjatjen e maturitetit të borxhit të brendshëm dhe rritjen e instrumenteve afatgjata të borxhit, duke treguar kujdes në fragmentimin e tregut. Vetëm gjatë vitit 2008, huamarrja e jashtme vlerësohet të jetë rritur me rreth 29 për qind nga një vit më parë. Pjesa më e madhe e kësaj mase përfaqësohet nga huamarrja në monedhën euro. Për vitin 2008, stoku i borxhit në këtë monedhë vlerësohet rreth 48 për qind ndaj totalit të stokut të borxhit të jashtëm ose 14 pikë përqindjeje më i lartë se një vit më parë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›