Ligji i lustracionit, Çekia do të dërgojë një ekspert për Shqipërinë
Kryetari i Komisionit Parlamentar për çështjet ligjore në Çeki, Marek Benda, u shpreh dje gjatë një vizite në Tiranë se Çekia do të dërgojë një ekspert për negociuar me palët për ndryshimet në ligjin për lustracionin. Ai ka sugjeruar se maxhoranca nuk duhet ta zbatojë ligjin në rast se ai bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe më parë duhet të presë sugjerimet e Komisionit të Venecias. Ligjvënësi çek Benda është takuar dje me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, si dhe me përfaqësues të Komisionit Parlamentar të Ligjeve. “Është e rëndësishme që të gjitha vendet ish-komuniste të ndahen nga e kaluara. Kur ne miratuam fillimisht ligjin tonë të lustracionit, pati kontestime të forta nga ndërkombëtarët, sepse ata nuk e kuptonin. Ne do të sjellim një ekspert tonin për të zgjidhur problemet tekniko-juridike që ka ligji. Kur të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën, atëherë mund ta vini në zbatim”, - është shprehur Benda. Ai gjithashtu sugjeroi qeverinë shqiptare që të aplikojë për statusin e vendit kandidat për në BE, brenda presidencës çeke të BE-së. “Meqenëse kemi dhe presidencën e radhës së Bashkimit Europian, kemi ardhur të bisedojmë me palën shqiptare për aplikimin e statusit të vendit kandidat. Besojmë se koha ideale për të bërë një veprim të tillë do të ishte brenda qershorit, pra brenda presidencës sonë”, - tha Benda.
Me kryetaren e Kuvendit Topalli, delegacioni çek ka biseduar ndër të tjera edhe për liberalizimin e vizave. Për kryetaren e Kuvendit tashmë në politikën e jashtme prioritare është liberalizimi i vizave, sepse shqiptarët meritojnë të lëvizin të lirë. “Energjia dhe optimizmi i qytetarëve shqiptarë, vokacioni i tyre perëndimor kanë shërbyer si motor për ecjen tonë përpara”, - theksoi ajo. Duke theksuar ndjesinë dhe afrimitetin e Çekisë me Shqipërinë, si dy vende të ish-bllokut komunist, Benda tha se vendi i tij është për hapjen e portave të Europës që qytetarët, të rinjtë, djemtë e vajzat të lëvizin të lirë, të mendojnë të lirë. Duke biseduar për bashkëpunimin ekonomik, kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë që një kopani çeke ka privatizuar rrjetin e shpërndarjes së energjisë në Shqipëri dhe uroi që kësaj kompanie t’i bashkëngjiten të tjera nga vendi mik çek. Më tej biseda u ndal në rritjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes dy parlamenteve dhe shkëmbimin e përvojës në përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së.
7 Prill 2009