Banka e Shqipërisë: “Rruga Durrës-Kukës ka rritur deficitin fiskal”
Eljona Ballhysa
Banka e Shqipërisë ka depozituar në Kuvend raportin vjetor mbi zhvillimet ekonomike në Shqipëri gjatë vitit 2008. Në këtë raport theksohet se ekonomia shqiptare ka njohur rritje të ndjeshme gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2008, ndërkohë që ka pësuar ulje gjatë tre muajve të fundit të vitit të kaluar. Në raport theksohet se ekonomia shqiptare është ndikuar nga kriza ekonomike botërore. Sipas Bankës së Shqipërisë, një ndër investimet më madhore të qeverisë shqiptare, siç është ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, ka ndikuar në rritjen e deficitit fiskal.
Rruga
Në raportin e Bankës së Shqipërisë është bërë e ditur se deficiti tregtar dhe deficiti i llogarisë korente gjatë vitit 2008 ka pësuar rritje. Kështu, deficiti i llogarisë korente arriti në 14.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, i ndikuar kryesisht nga rritja e shpejtë e importeve dhe ngadalësimi i remitancave përgjatë pjesës së dytë të vitit, si pasojë e forcimit të efekteve të krizës ekonomike në ekonomitë e vendeve fqinje. Në raport theksohet se faktor kyç në rritjen e deficitit të llogarisë korente janë çmimet e larta të mallrave të importit, zgjerimi i deficitit buxhetor si pasojë e rritjes së investimeve publike për projektin “Durrës-Kukës”. Në mungesë të këtyre faktorëve, deficiti i llogarisë korente do të shënonte një vlerë më të ulët.
Strehimi
Kategoria “strehim” ka shënuar norma të ulëta inflacioni që prej muajit shtator 2007, si rezultat i qëndrueshmërisë së çmimeve të qirasë. Çmimet e kësaj kategorie kanë pësuar një rritje mesatare prej 0.5% gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që rritja në katër vitet paraardhëse ishte mesatarisht 4.3%. Në nivel mesatar çmimet e kësaj kategorie nuk ndryshuan gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2008. Gjatë vitit të kaluar tregu i banesave është karakterizuar nga frenimi i rritjes së çmimeve. Indeksi i çmimit të banesave ka shënuar normat më të ulëta të rritjes vjetore që nga viti 2005.
Pagat
Gjatë tremujorëve të parë të vitit 2008, sipas Bankës së Shqipërisë është vënë re ngadalësim i ritmit të rritjes vjetore të pagave si në sektorin shtetëror, ashtu edhe në atë privat. Niveli i pagës mesatare mujore në sektorin shtetëror u rrit mesatarisht 8.7% gjatë nëntë muajve të parë të vitit. Gjatë së njëjtës periudhë paga mesatare e regjistruar në ndërmarrjet ekonomike vlerësohet të jetë rritur me 15.1% në terma nominalë vjetorë. Në terma realë rritja vjetore e pagës vlerësohet të jetë 11%. Në raport theksohet se problem serioz në Shqipëri vazhdon të mbetet papunësia, veçanërisht papunësia afatgjatë. Përtej problemeve sociale që ajo sjell, nivelet e larta dhe të qëndrueshme të normës së papunësisë sinjalizojnë për probleme strukturore të ekonomisë, të cilat mund të kufizojnë ritmin e rritjes ekonomike në një periudhë afatgjatë. Tregu i punës vazhdon të mbetet në një shkallë të lartë informaliteti, e cila vështirëson monitorimin e tij.
Ekonomia
Ecuria e ekonomisë shqiptare është karakterizuar nga tipare pozitive gjatë vitit 2008. Ekonomia ka shënuar ritme të kënaqshme rritjeje gjatë nëntëmujorit të parë të vitit, në prani të ruajtjes së treguesve kryesorë makroekonomikë. Ndërkohë që tremujori i fundit i 2008-s ka pasqyruar një tablo cilësisht më të ndryshme të zhvillimeve ekonomike. “Në ndikimin e krizës financiare dhe ekonomike botërore, aktiviteti ekonomik në vend ka shfaqur shenja ngadalësimi, ndërsa treguesit monetarë kanë pasur luhatje të dukshme”,- shkruhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Në uljen e ritmit të zhvillimit ekonomik të vendit kanë ndikuar veçanërisht përkeqësimi i treguesve të tendencave ekonomike që kanë ardhur si rezultat i përpunimit të opinioneve të bizneseve dhe konsumatorëve mbi gjendjen aktuale të ekonomisë dhe pritjet e tyre për të ardhmen; ngadalësimi i remitancave dhe i eksporteve gjatë gjysmës së dytë të vitit; si dhe ngadalësimi i aktivitetit kreditues gjatë tremujorit të fundit. Në raportin e Bankës së Shqipërisë theksohet se goditjet e ekonomisë globale në formën e çmimeve të larta të mallrave bazë ndikuan në ekonominë shqiptare duke sjellë nivele të larta inflacioni gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit. Ndërkohë që inflacioni mesatar i çmimeve të konsumit gjatë vitit 2008 ka kapur shifrën 3.4%. Në raport gjithashtu theksohet se thellimi i pasojave të krizës financiare dhe ekonomike në rang botërore është shoqëruar me uljen e çmimeve të lëndëve të para dhe sollën një nivel më të ulët të inflacionit. Tremujori i fundit i vitit 2008 solli uljen e nivelit të inflacionit deri në 2.2% në muajin dhjetor.
7 Prill 2009