Deputetët e PS-së takojnë emigrantët shqiptarë në Athinë
Me kërkesë të shoqatave të emigrantëve, deputetët socialistë Sadri Abazi, Taulant Balla dhe Rrapush Tola zhvilluan një takim të zgjeruar me emigrantë shqiptarë të Dibrës, Librazhdit dhe Matit, të cilët punojnë dhe jetojnë në Athinë dhe në zonat përreth saj. Përfaqësues të emigrantëve, të cilët morën fjalën gjatë këtij takimi, kërkuan nga autoritetet shqiptare marrjen e masave për lehtësimin e procedurave konsullore, burim i korrupsionit, në konsullatat shqiptare në Greqi. Gjithashtu, emigrantët kërkuan nga shteti shqiptar më shumë përpjekje dhe kontakte me shtetin grek lidhur me çështjen e pajisjes së emigrantëve me leje afatgjata qëndrimi, njohjen e viteve të punës në emigracion si pjesë e pensionit, etj. Duke marrë fjalën në këtë takim, deputeti i Dibrës, Sadri Abazi, u shpreh: “Partia Socialiste e Shqipërisë pas 28 qershorit do të fillojë një epokë të re të marrëdhënieve ndërmjet shtetit dhe emigrantëve për të garantuar mbështetje dhe respektim të të drejtave tuaja”. Në përgjigje të shqetësimit të emigrantëve për procedurat konsullore, lejeqëndrimet etj, deputeti Taulant Balla i garantoi emigrantët se qeveria socialiste e pas 28 qershorit do të mundësojë lëvizjen e lirë të shtetasve shqiptarë në hapësirën e vendeve Schengen brenda vitit 2010. “Është ky një angazhim solemn i yni për të përmbushur në një kohë sa më të shpejtë kriteret dhe standardet, që na kërkon Komisioni Europian dhe vendet anëtare të BE-së për marrjen e vendimit që do të mundësonte lëvizjen e lirë, pra do të hiqte vizat për qytetarët shqiptarë”, - tha Balla.
7 Prill 2009