E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma e pensioneve në prag të dështimit

Reforma e nisur gjatë viteve të fundit me asistencë të Bankës Botërore, që synon të stabilizojë të ardhurat e sigurimeve shoqërore dhe të rrisë gatishmërinë e kontribuuesve për të paguar më shumë në skemë, mund të mos sjellë asnjë përmirësim real në këtë pjesë të rëndësishme të financave publike në Shqipëri, për shkak se qeveria e tanishme dhe ajo e mëparshme nuk kanë pasur dëshirë të pranojnë realitetin e hidhur. Lajmi bëhet i ditur nga ekspertë që kanë ndjekur nga afër reformën.

E nisur në vitin 2004, reforma fillimisht rriti moshën e daljes në pension të shqiptarëve në 60 vjeç, me shpresë se me këtë mënyrë do të ulej numri i përfituesve dhe do të zgjateshin vitet e pagesave. Në atë kohë, reforma u kritikua nga sindikatat dhe opozita politike si një masë që synon "t‘i vdesë shqiptarët në punë". Por, pavarësisht se qeveria nuk i dëgjoi kritikët, rritja e moshës së daljes në pension qe një masë me efekte të ezauruara brenda më pak se tre vjet. Qeveria pasardhëse ashpërsoi më tej kushtet që duhen plotësuar për përfitimin e një pensioni të plotë, rriti moshën e pensionit dhe vitet minimale të punës, si dhe ndërmori masa drastike për t‘i detyruar të punësuarit të paguajnë më shumë. Ndërkohë, politikat populiste të rritjes së pensioneve e rritën varësinë e skemës nga buxheti i shtetit, ndërsa masat për të rritur të ardhurat nga kontributet e pensioneve krijuan probleme të tjera në lidhje me eficencën e krahut të punës.

"Reformat e deritanishme kanë dështuar në pranimin e realitetit dhe më shumë kanë prishur punë, sesa kanë zgjidhur problemet", thonë ekspertët.

Merri të varfrit, për t‘ia dhënë më të varfrit

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një pafundësi masash për të tërhequr më shumë para nga të punësuarit e sotëm, me qëllim që të paguajë pensione më të larta për pensionistët. Por në thelb nuk po u ofron asgjë në këmbim të punësuarve, gjë që i ka kthyer sigurimet shoqërore nga kursim i detyrueshëm, në taksë. Që nga viti 2001, qeveria ka rritur me 70 për qind pagën minimale, duke e shitur si ndihmë të të punësuarit më të varfër, por që në fakt thjesht sa i taksonte më shumë të punësuarit më të varfër. Në vitin 2007, qeveria vendosi një sistem pagash reference, të cilat në dukje rritën pagat për të punësuarit në privat, por që në realitet, thjesht sa rritën më tej taksimin. Sigurimet shoqërore sipas sistemit që zbaton Shqipëria sot, në të gjithë botën kritikohen si një mekanizëm që transferon paratë nga të varfrit te të pasurit, për shkak se të varfrit jetojnë më pak dhe me moshën aktuale të daljes në pension prej 65 vjetësh, shumica e tyre nuk përfitojnë asgjë nga kontributet e paguara. Në anën tjetër, të pasurit jetojnë më gjatë dhe rrjedhimisht përfitojnë edhe pensionet që nuk i marrin të varfrit.

Sistemi i Bismarkut

Sistemi shqiptar i pensioneve është krijuar nga shtetari gjerman Oto Von Bismark. Kjo skemë funksionon në mënyrë optimale kur raporti të punësuar/pensionistë është katër me një. Teorikisht, nëse ky raport zbret në tre me një, problemet janë të mëdha; ndërsa nëse zbret më poshtë, skema konsiderohet praktikisht e falimentuar. Në Shqipëri ka dhjetë vite që ka më pak se një të punësuar për pensionist dhe raporti është përkeqësuar vazhdimisht. Sot ka 535 mijë përfitues në skemën e sigurimeve dhe vetëm 405 mijë shqiptarë kontribuues.

Breza "të djegur"

Vende që kanë përjetuar situatën e Shqipërisë sot kanë klasifikuar si "breza të pafat" njerëzit që dolën në pension në kohën kur skema u rrëzua. Në Shqipëri, skema falimentoi një herë në vitet ‘90. Pensionistët e para vitit ‘92 kaluan 15 vitet që vijuan me pensione që nuk mjaftonin as për bukë. Vetëm gjatë viteve të fundit, ata pak pensionistë që mbetën gjallë nga brezi i viteve ‘90, po marrin një pension më njerëzor. Problemi është se sistemi aktual nuk jep zgjidhje për të ardhmen dhe reforma e pensioneve më shumë ka synuar të mbajë gjallë gjendjen e vështirë aktuale, sesa të ofrojë zgjidhje për brezat e ardhshëm të pensionistëve. Për më tepër, sistemi i sigurimeve shoqërore financohet në masën 40 për qind nga buxheti i shtetit. Pensionet që do të duhet t‘u shlyhen pensionistëve të sotëm janë borxh publik në të gjitha të dhënat, me përjashtim të emrit. Mospranimi i falimentimit të sistemit krijon iluzionin e një borxhi publik të ulët. Refuzimi i politikës për të pranuar realitetin bën që edhe brezi i ardhshëm i pensionistëve të dalë i humbur nga skema, ashtu si prindërit e tyre. Për këtë arsye, asnjë shqiptar i punësuar nuk ka një interes real të marrë pjesë në skemë dhe të derdhë kontribute. Në mungesë të interesit të njerëzve, qeveria beson se mund t‘i mbledhë kontributet me dhunë. Vetë mbledhja me dhunë përmes pagës minimale dhe pagave të referencës, nuk e shpëton skemën nga falimenti.

Box

Shembulli i Kosovës

Kurse sot paratë që do të marrësh nesër

Kosova u përball me të njëjtën situatë me Shqipërinë e viteve ‘90 për sa i përket sistemit të pensioneve, por i dha një zgjidhje më të mençur. Pensionistët e Kosovës qenë siguruar në sistemin e vjetër jugosllav, nga i cili dolën të humbur. Në vitin 2002 u vendos që pagesat e pensionistëve të sotëm të mbulohen totalisht nga buxheti i shtetit, ndërsa kontributet e të punësuarve të sotëm të menaxhohen nga një fond pensionesh, në llogari individuale. Në këtë mënyrë, paratë mbesin pronë vetjake e kontribuuesit dhe ky i fundit do të marrë për pension atë që ka kursyer gjatë jetës, plus interesat. Kjo skemë bën që çdo i punësuar të jetë i interesuar të paguajë sigurime shoqërore, pasi nuk ka transfertë parash nga të varfrit te më të varfrit. Edhe pse pronë private, mandati i këtyre kursimeve është specifik - ato mund të përdoren vetëm për pension. Fondi i pensioneve i investon kontributet dhe ua shton interesat kontribuuesve.

Ekzistojnë dy lloje kryesore të sistemeve shoqërore: ai i bazuar në transfertë (PAYG) dhe sistemi i investuar. Sistemi i bazuar në transfertë është program shtetëror që financohet nga tatimet ose kontributet që mblidhen nga popullata dhe u transferohen grupeve të veçanta në popullatë. Sipas kësaj skeme, punëtorët financojnë pensionistët. Në Kosovë, sistemi i transferimit është eliminuar. Të ardhurat e përgjithshme të buxhetit të Kosovës financojnë pensionin bazë. Për të financuar këtë, nuk janë fuqizuar tatime të tjera në të ardhura; prioritet i strategjisë ka qenë fakti që të mbahen tatimet në paga të ulëta, kështu që punëtorët kosovarë të jenë konkurrentë dhe të mos ketë nxitje për t‘u fshehur në ekonominë gri.

Sistemet e investuara pensionale

Fjala "e investuar" i mveshet secilit program në të cilin paratë mblidhen dhe ruhen në llogari përgjatë periudhës kohore, të cilat investohen në tregje të kapitalit për të siguruar të ardhura në të ardhmen. Dallimi kryesor mes sistemit tipik të bazuar në pagesën e fëmijëve për prindërit dhe sistemit të investuar është se paratë e grumbulluara nën sistemin e investuar kursehen dhe investohen në vend që të shpenzohen menjëherë. Sipas sistemit të investuar, kontributet transferohen në llogaritë individuale të pjesëmarrësve, investohen në portfolio financiare dhe akumulohen përgjatë kohës së punësimit të pjesëmarrësit, duke fituar përqindje nga investimi. Paratë e mbledhura janë të sigurta dhe plotësisht të ndara nga buxheti shtetëror. Ky sistem është më transparent ndaj pjesëmarrësve, sepse lejon definimin e qartë të të drejtave në pronësi mbi kontributet dhe të akumuluarat. Kur pjesëmarrësit pensionohen, pensioni i tyre do të varet nga kontributet që ata kanë bërë në llogarinë e tyre. Në Kosovë, sistemi i tillë do të përfaqësohet nga Llogaritë Individuale të Kursimeve Pensionale që mirëmbahen nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës (TKPK).



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›