E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: “Nuk kemi detyrim për floririn e sekuestruar, fjalën e ka qeveria”

Banka e Shqipërisë shprehet se nuk ka detyrime të prapambetura ndaj ish-pronarëve për çështjen e floririt. Sipas saj, nga viti 1992 Banka ia ka nisur nga e para dhe është detyrimi i qeverisë të shprehet për floririn
Erald Kapri

Banka e Shqipërisë përjashton veten e saj nga përgjegjësia për ndarjen e floririt të konfiskuar gjatë sistemit komunist. Burime zyrtare pranë Autoritetit Qendror Financiar bëjnë të ditur se Banka e Shqipërisë nuk ka trashëguar asnjë detyrim të prapambetur të shtetit shqiptar apo të vetë bankës, që do të thotë se nuk njeh asnjë pretendim nga palët mbi pronësinë e arit që ajo disponon në Thesarin e Shtetit. Titullarët e Bankës së Shqipërisë shprehen se me Ligjin e vitit 1992 “Për funksionimin e Bankës së Shqipërisë”, nuk i ka njohur asaj atribut që të mbajë përsipër barrën e floririt që u është konfiskuar familjeve gjatë sistemet komunist. Reagimi i Shoqatës “Pronësi me drejtësi” për kthimin e arit të grabitur ka ngritur debatin mbi kthimin e metalit të çmuar familjeve që u përkasin. Zgjidhja e kësaj çështjeje duket se do të ketë një debat të ri. Banka e Shqipërisë e zotëron këtë ar së bashku me dokumentacionin përkatës dhe e ruan këtë pjesë në Thesarin e Shtetit, por ajo nuk merr përsipër që ta kthejë këtë flori pa një detyrim ligjor që duhet ta marrë përsipër qeveria. Banka e Shqipërisë pret që qeveria të marrë iniciativën për të nisur procedurat e ligjit dhe vetëm pas miratimit në Parlament, Autoriteti Financiar mund të kthejë arin që u përket familjeve.
Banka
Kthimi i sistemit demokratik në vendin tonë në vitin 1992, bëri që edhe Banka e Shqipërisë, krahas ndryshimit të emrit nga Banka e Shtetit Shqiptar në Bankën e Shqipërisë, të ndryshojë edhe detyrimet e saj. Detyrimet e Bankës Qendrore nuk shtrihen vetëm në fushën e rregullimit të sistemit financiar, por që nga ky vit kjo bankë ia nisi punën nga e para. Konkretisht, ekspertët e Bankës së Shqipërisë shprehen se ligji mbi funksionimin e saj të vitit 1992 përcakton të gjitha funksionet, por pa detyrime të trashëguara nga e kaluara nga mëma e saj. Ekspertët shprehen se çdo ndërhyrje e mundshme si çështja e kthimit të floririt të konfiskuar do të bëhet me ligj të veçantë. Kjo gjë nuk parashikohej vetëm në Ligjin e vitit 1992, por edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe në ligjin për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, ku ishte specifikuar se dy ose tre vite mbas hyrjes së fuqi të Kushtetutës, duhet të miratohej ligji për kthimin e pasurive të luajtshme ose floririt. Moshartimi i këtij ligji ka irrituar pronarët duke kërkuar shpjegime dhe njëkohësisht të kërkojnë nga Banka e Shqipërisë të respektoje Kushtetutën për të kthyer floririn. Përgjigjja e Bankës së Shqipërisë është e prerë: “Ne nuk kemi detyrime ndaj palëve të treta, kjo është përgjegjësi e qeverisë”. Sipas Ligjit të vitit 1992, i cili është ligji bazë për funksionimin e Bankës së Shqipërisë, pavarësisht ndryshimeve në vite të tij, Banka luan një rol ruajtës të thesarit dhe nuk mund të ndryshojë destinacionin e thesarit. Ligji i ka njohur atribut Bankës Qendrore që të blejë e të shesë ar dhe metale të tjera të çmuara, si dhe gurë të çmuar për llogari të vetë asaj dhe për llogari të të tretëve.
Kërkesa
“Nuk e kuptojmë se pse Guvernatori i Bankës së Shqipërisë nuk e kthen floririn kur ai e ka detyrim kushtetues. Inventarin e ka, procesverbalet e sekuestrimeve i ka, të gjitha ekzistojnë, janë të pacenuara në bankë dhe nuk ka asnjë shkak që këto pasuri të luajtshme të mos kthehen”. Kështu u shpreh sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së ish-pronarëve, duke shtuar se guvernatori Fullani u ka deklaruar atyre se pret miratimin e ligjit. Përveç pjesës së disponimit të arit dhe dokumentacionit, Banka e Shqipërisë shprehet se roli i saj në këtë mes është vetëm “gardiane” e thesarit dhe jo tjetërsimit të tij.

Ligji i vitit 1992

KAPITULLI III

VEPRIMTARITË KRYESORE TË BANKËS

Neni 13

Banka e Shqipërisë ka kompetenca dhe mban përgjegjësi në veprimtaritë e mëposhtme:

a) Të miratojë e të zbatojë politikën monetare, me qëllim që të plotësojë detyrat e përcaktuara në nenin 3;

b) të mbikëqyrë e të rregullojë sistemin bankar të Shqipërisë me qëllim që të sigurojë veprimin dhe zhvillimin e tij;

c) të veprojë si emetuesja e vetme e monedhës së vendit në Republikën e Shqipërisë si në kartëmonedhë, ashtu edhe në monedhë metalike;

ç) të zbatojë politikën e shtetit për kursin e këmbimit, duke përfshirë licencën, rregullimin dhe kontrollin e veprimeve të këmbimeve me jashtë;

d) të veprojë si këshilltare për Këshillin e Ministrave për çështje ekonomike;

dh) të skontojë kambiale, çeqe, obligacione dhe instrumente të tjera detyrimesh;

e) të blejë e të shesë obligacione dhe letra të garantuara, të emetuara nga institucionet financiare dhe bankare shqiptare e banka të huaja;

ë) të blejë e të shesë ar dhe metale të tjera të çmuara, si dhe gurë të çmuar për llogari të vet dhe për llogari të të tretëve;

f) të blejë e të shesë mjete ndërkombëtare të pagesave, si valutë e mjete të tjera, të administrojë rezervën ndërkombëtare të shtetit dhe të ndihmojë në zgjidhjen e përshtatshme të veprimeve ndërkombëtare;

g) t'u ofrojë kredi institucioneve bankare e financiare;

gj) të emetojë letra me vlerë për llogari të shtetit dhe për llogari të vet;

h) të veprojë si bankiere me institucionet financiare, qeveritë e huaja dhe agjencitë ndërkombëtare;

i) t'i japë paradhënie ose hua monetare shtetit;

j) ruan thesarin e shtetit.

Detyrimi për kthimin e floririt të konfiskuar

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka njohur në nenet e saj pronën dhe detyrimet që ka shteti ndaj saj. Detyrimi Kushtetutës shprehej se brenda dy ose tre viteve duhej të miratohej ligji për kompensimin dhe kthimin e pronës, si asaj të paluajtshme, ashtu edhe asaj të luajtshme. Kushtetuta hyri në fuqi më 28 nëntor të vitit 1998, por ligji për kthimin dhe kompensimin e pronës së paluajtshme u miratua në vitin 2004, çka theu detyrimin kushtetues. Ndërkohë, një tjetër detyrim që nuk është respektuar ende, edhe pse kanë kaluar 9 vite nga miratimi i Kushtetutës, ligji për kthimin e pasurisë së luajtshme, pra kthimin fizik të floririt dhe të kompensimit financiar të mallit të konfiskuar gjatë viteve të para të komunizmit në bazë të ligjit mbi tatimin e jashtëzakonshëm. Qeveria ka detyrimin kushtetues që ta kthejë dhe ta kompensojë këtë pasuri, e cila, ndonëse në vlera miliarda dollarë, është e mbështetur në ligjin themeltar të shtetit. Fatura e lartë financiare për kthimin e pasurisë së luajtshme të konfiskuar në komunizëm tregon pasurinë e lartë që kishin shqiptarët para 60 viteve, por edhe vështirësitë e shtetit të sotëm, i cili po trashëgon detyrime të larta.

Misteri: A është përdorur floriri nga Banka e Shqipërisë?

Ligji i vitit 1992 i njeh atribut Bankës së Shqipërisë që të blejë e të shesë ar dhe metale të tjera të çmuara, si dhe gurë të çmuar për llogari të vet dhe për llogari të të tretëve. Njëkohësisht, roli i saj është edhe ruajtja e thesarit të shtetit. Rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë është 2 miliardë dollarë, ku një pjesë e saj është ar. Nuk bëhet e ditur se në çfarë përqindje e kësaj rezerve është flori dhe metale të çmuara, pasi konsiderohet sekret bankar i rëndësishëm dhe ruhet me ligj fshehtësia e saj. Misteri në këtë rast lind me faktin se a e ka të disponueshëm Banka e Shqipërisë arin e mjaftueshëm për të kompensuar sasinë e pretenduar për ish-pronarët. Bëhet fjalë për një sasi prej 273 tonësh flori të konfiskuar, që shteti shqiptar u detyrohet ish-pronarëve. Kjo sasi ari ka një vlerë që sot arrin në masën e miliardave dollarëve. Natyrshëm lind pyetja se a e disponon Banka e Shqipërisë këtë ar, sa është përdorur ari gjatë viteve dhe sa ka në Thesarin e Shtetit. Njëkohësisht lind pyetja se sa do të dëmtohet shteti nga heqja e thesarit të vet të një sasie të tillë ari. Ka një detyrim kushtetues që kjo pasuri duhet të kthehet, por që ende nuk është zbatuar.

14 Dhjetor 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›