E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Nuk kemi ndërhyrë në tregun valutor

Raporti
Vijon mbështetja e bankave me likuiditet përmes REPO-ve.

Banka e Shqipërisë bëri të ditur dje se nuk ka ndërhyrë në tregun e brendshëm valutor gjatë periudhës korrik-shtator të vitit të kaluar, gjë kjo që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë gjatë dekadës së fundit.
“Në tremujorin e tretë të vitit 2009, Banka e Shqipërisë nuk ka ndërhyrë në tregun e brendshëm valutor,” deklaroi BSH në një raport të publikuar dje. Në të njëjtën periudhë të vitit 2008, BSH pati blerë rreth 100 milionë euro në treg të hapur me qëllim që të shmangte forcimin e mëtejshëm të monedhës kombëtare dhe të shtonte rezervën valutore të vendit. Por gjatë vitit 2009, situata ndryshoi tërësisht. BSH ndërhyri në tremujorin e parë duke shitur valutë në mbrojtje në vlerës së monedhës vendëse, por hoqi dorë nga kjo praktikë në qershor, me qëllim që të mos shpenzonte më shumë valutë. Rezerva valutore në fund të shtatorit qe 1.7 miliardë euro, e pandryshuar në krahasim me një vit më parë. BSH i publikon ndërhyrjet në tregun valutor vetëm tre muaj pas kryerjes së ndërhyrjes, një rregull ky i vendosur që dhjetë vite më parë. Ndërkohë, agjencitë ndërkombëtare të lajmeve i kanë kapacitetet teknike dhe i raportojnë shitblerjet e valutës nga ana e BSH në kohë reale.
Likuiditeti
Në periudhën korrik-shtator BSH vijoi të furnizojë bankat me likuiditet, ndërkohë që këto të fundit nuk shprehën asnjë interes në përmirësimin e menaxhimit të parave të veta, pasi e panë më me leverdi t’i drejtohen bankës qendrore me fonde sa herë që kishin nevojë.
“Për të injektuar likuiditet, Banka e Shqipërisë përdori instrumentin e saj kryesor marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 23.03 miliardë lekë në javë, si dhe instrumentet rregullues me maturim më të gjatë se një javë - marrëveshjen e riblerjes me maturim 1 dhe 3-mujor. Marrëveshja e anasjelltë e riblerjes me maturim njëmujor u përdor në 5 raste, mesatarisht 3.33 miliardë lekë për ankand). Ndërsa marrëveshja e anasjelltë tremujore u përdor në dy raste, mesatarisht 3.25 miliardë lekë për ankand”, njoftoi BSH. Si rezultat, bankat e nivelit të dytë i detyrohen BSH-së rreth 35 miliardë lekë të tërhequra gjatë kohës së krizës. BSH ka disa muaj që përpiqet të tërheqë këtë shumë parash nga tregu, pasi nëse vijon të qëndrojë në treg mund të shkaktojë inflacion.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›