E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Papunësia është rritur ndjeshëm

Papunësia në Shqipëri ka pësuar "rritje të ndjeshme" gjatë tremujorit të fundit të vitit 2008 dhe tendenca është rritja e saj e mëtejshme gjatë këtij viti si pasojë e krizës, bën të ditur Banka e Shqipërisë në analizën e saj për Stabilitetin Financiar të vendit. Konkluzioni i BSH bazohet në vrojtim të individëve dhe bizneseve të kryera gjatë kësaj periudhe. Por ndërsa BSH raporton rënie të punësimit dhe rritje të papunësisë, statistikat zyrtare që grumbullohen nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, si dhe publikohen nga Instituti i Statistikave, flasin për një situatë krejt të ndryshme. Kështu, po për tremujorin e katërt të vitit 2008, numri i të punësuarve në Shqipëri u rrit me 4200 vetë, një shifër kjo shumë e lartë për vetëm tre muaj, për shkak se sipas të njëjtave statistika, punësimi në Shqipëri është rritur me hap breshke që nga viti 2001.

"Rezultatet e vrojtimit për individët, tregojnë se niveli i papunësisë për tremujorin e fundit të vitit 2008 është rritur ndjeshëm. Këtë gjë e konfirmon edhe rezultati i vrojtimit për të njëjtën periudhë të sektorëve të industrisë dhe të shërbimeve, të cilët kanë ulur punëzënien", thotë BSH në analizën e vet. Përjashtim bën sektori i ndërtimit, i cili shfaq një rritje të punëzënies në tremujorin e katërt të vitit 2008.

"Sektori i industrisë pret ulje të kapaciteteve të tij të punësimit, ndonëse në mënyrë më të zbutur në krahasim me tremujorin e fundit të vitit 2008", vijon BSH.

Banka Qendrore është e shqetësuar veçanërisht për faktin se rritja e papunësisë mund të shkaktojë probleme zinxhir në të gjithë ekonominë e vendit.

"Rezulton se me forcimin e mundshëm të efekteve të krizës ndërkombëtare në ekonominë e vendit aftësia e sektorit të ekonomive familjare për të gjeneruar të ardhura nëpërmjet punëzënies mund të bjerë", thotë BSH.

Me rënien e nivelit të të ardhurave, rreziku që i kanoset sistemit financiar nëpërmjet cilësisë së kredidhënies për këtë sektor do të rritet. Një tjetër kanal përcjellës do të ishte rënia korresponduese në kursime, e cila do të vështirësonte gjenerimin e burimeve të sistemit bankar në formën e depozitave. Për më tepër, duke qenë se një gjë e tillë rrit pasigurinë e familjeve, në të ardhmen pritet një korrektim i konsumit dhe për pasojë, vështirësi të mëtejshme në shitjet për bizneset. Pas një periudhe kohe relativisht të gjatë të rritjes së shpejtë të kërkesës, një korrektim i tillë mund të sjellë përparësinë e pakësimit të kërkesës për importe dhe korrektimin e deficitit tregtar, duke lehtësuar kështu presionin mbi kursin e këmbimit.

Ndodh shumë shpesh që të dhënat e ministrive kryesore të bien ndesh me rezultatet e Bankës së Shqipërisë. Kjo e fundit ka krijuar me kalimin e kohës sistemin më të mirë në vend për grumbullimin dhe përpunimin e informacionit statistikor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›