E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika gjermane fsheh krizën para zgjedhjeve

Qeveria gjermane duket se po përpiqet të fshehë realitetin e prodhuar nga kriza financiare në sytë e votuesve gjermanë para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, gjë që mund ta fusë ekonominë më të rëndësishme të Europës në një "dekadë të humbur", - shkruante dje "The New York Times". Sipas gazetës amerikane, Berlini nuk po ecën në drejtimin e duhur dhe po heziton të pastrojë bankat e saj nga asetet e këqija në mënyrë të vendosur, gjë që përbën një gabim të ngjashëm me atë të Japonia bëri në vitet ‘90 dhe që solli për rrjedhojë një dekadë të tërë stanjacion ekonomik.

"Pengesat janë më së shumti politike sesa financiare", shkroi "New York Times". "Berlini duket i vendosur të mos u tregojë votuesve se sa janë humbjet që pritet të pësojnë bankat nga kriza, deri më 27 shtator, kur në këtë vend do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme."

Gjermania duket se po i lejon bankat të fshehin apo t‘ia ulin rëndësinë humbjeve që do të pësojnë nga kreditë e këqija, duke refuzuar të aplikojë teste të skenarëve të mundshëm mbi biznesin e kreditimit. Në këtë mënyrë, bankat gjermane mund të sëmuren aq sa të mos kenë mundësi të kreditojnë biznesin dhe individët.

Muajin e kaluar, Banka Qendrore Europiane ofroi 422 miliardë euro likuiditet për bankat, por shumica dërrmuese e tyre i kthyen mbrapsht paratë në BQE në vend që t‘ia kreditonin biznesit dhe individëve. Arsyeja është e thjeshtë: bankat presin me ankth një krizë kredish të këqija dhe nuk kanë ndër mend të rrezikojnë.

Bankat gjermane dhe politika e këtij vendi janë shumë fort të lidhura me njëra-tjetrën dhe duket se kjo lidhje po ndalon reformimin që nevojitet për të shpëtuar nga më e keqja. Problemi më i madh është që gjermanët e kanë të qartë tashmë se diçka nuk po shkon siç duhet me bankat, por mungesa e aksioneve të qeverisë, duket se do të dëmtojë reputacionin e bankave në tërësi dhe jo vetëm reputacionin e bankave të dobëta.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›