E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matuzalem te Lacio, për meritë të Tares

Ka vetëm pak ditë që është emëruar drejtues i Lacios, por kjo nuk e ka penguar Igli Taren të shfaqet protagonist te klubi bardhekaltër. 

Jetmir Halilaj

 Lacio ka arritur të sigurojë shërbimet e mesfushorit Da Silva Matuzalem dhe media italiane i ka atribuuar një meritë të madhe drejtorit të ri teknik të Lacios, Igli Tare, duke bërë të ditur se shqiptari ka ndihmuar në realizimin e kësaj transferte. "Një meritë të madhe në kalimin e Matuzalem te Lacio ka Igli Tare, - shkruante e përditshmja 'Il Tempo'. - Tare ka shfrytëzuar miqësinë e tij me Matuzalem që nga koha kur luanin bashkë te Breshia dhe e ka bindur atë të zgjedhë Lacion, ndonëse futbollisti kërkohej edhe nga Roma. Madje, verdhekuqtë i kishin ofruar një pagë edhe më të mirë". Transferimi i Matuzalem nga Real Saragoza te Lacio është cilësuar si një goditje e bujshme në merkato për bardhekaltrit dhe ka habitur opinionin sportiv në Itali, sepse pritej që futbollisti 28-vjeçar të nënshkruante për Romën. Ndërkaq media italiane ndjek me vëmendje ditët e para të Igli Tares si drejtues i Lacios. Skuadra bardhekaltër po stërvitet në një kamping malor në Dolomite. "Të vetmit që mund të shohësh duke folur në telefon te Lacio janë Igli Tare dhe trajneri Delio Rosi, sepse lojtarëve u është kërkuar që të evitojnë kontaktet gjatë kësaj faze përgatitore. Tare, i cili është padyshim edhe një ndër të besuarit e presidentit Lotito, një pjesë të mirë të kohës e kalon duke mbajtur shënime. Vetë kreu i pankinës, Rosi, është i kënaqur nga impenjimi dhe dëshira e madhe e ish-sulmuesit shqiptar në detyrën e re", shkruhej në reportazhin e së përditshmes italiane, "Il Tempo". Prania e ish-kapitenit të Shqipërisë te klubi i Lacios është një derë e hapur edhe për talentet shqiptare, të cilat janë të aftë të luajnë në skuadra të mëdha. "Unë asnjëherë nuk do të jem indiferent ndaj vendit tim dhe gjithnjë do ta ndjek me vëmendje futbollin shqiptar. Nëse do të ketë ndonjë talent shqiptar, i cili do të jetë në gjendje të luajë në klube të mëdha, atëherë padyshim që do të bëj maksimumin tim për ta ndihmuar atë që të bëhet pjesë e një klubi të madh si Lacio", - u shpreh biondi gjatë konferencës për shtyp të pak ditëve më parë, ku njoftoi tërheqjen e tij nga futbolli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›