E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konsumi, më lirë jetohet në Dibër

Një shqiptar shpenzon mesatarisht 17 mijë lekë në muaj. Nga kjo pjesën më të madhe të parave e shpenzon për të blera mallra ushqimorë. 

Fabiola Çela

Konkretisht, brenda një muaji një person shpenzon mesatarisht 9 mijë lekë për mallra ushqimorë dhe 8 mijë lekë i shpenzon për veshje, apo për blerje të tjera. Edhe pse shpenzimet nga viti në vit rriten, shqiptarët nuk heqin dorë nga cigaret, kafet apo të daljet në restorante. Sipas një ankete të publikuar nga INSTAT, për grupin pije alkoolike dhe duhan rezulton se, në familjet shqiptare konsumohet për to rreth 4.3 për qind e buxhetit, ku vetëm duhani zë një peshë prej 50.6 për qind brenda grupit. Konsumi jashtë shtëpisë, në fast food, bar dhe hotele/restorante, përbën 5 për qind të buxhetit të familjeve shqiptare. Sipas anketës së publikuar nga INSTAT, pjesa më e madhe e familjeve shqiptare shpenzojnë më shumë para për të blerë mallra ushqimorë. Shpenzimet më të mëdha janë tek familjet kryeqytetase.
Anketa
Anketa për buxhetin familjar e realizuar nga Instituti i Statistikave i referohet viteve 2006-2007. Në periudhën e referencës shpenzimet mesatare mujore të familjeve vlerësohen në shifrën 69 mijë lekë, duke pasur parasysh se një familje në Shqipëri përbëhet mesatarisht nga 4 persona. Shuma totale e shpenzimeve mujore të familjeve shqiptare, që vlerësohet të jenë rreth 752 mijë familje, arrin në 52 miliardë lekë në muaj. Ndërkohë, përsa i përket shpenzimeve mesatare mujore për frymë në periudhën 1-vjeçare të kryerjes së anketës, rezulton se një individ në Shqipëri shpenzon mesatarisht rreth 17 mijë lekë në muaj nga të cilat 9 mijë lekë për konsum ushqimor dhe 8 mijë lekë për konsum joushqimor. Sipas anketës së ISNTAT, konsumi mesatar mujor për frymë ka pasur një rritje prej rreth 2.2 herë. "Duke pasur parasysh që inflacioni është rritur 23.2% në periudhën 2000-2007, arrijmë në konkluzionin se shpenzimet reale për frymë janë rritur rreth 1.8 herë", thuhet në anketë.
Konsumi
Familjet kryeqytetase shpenzojnë më shumë para se në qytetet e tjera. Sipas anketës, një familje në Tiranë shpenzon mesatarisht në muaj 83,800 lekë. Prefekturat që paraqesin shpenzimet më të larta për konsum pas Tiranës janë Durrësi dhe Gjirokastra me konsum mujor familjar përkatësisht 82,900 dhe 82,800 lekë. Ndërsa prefekturat me nivel më të ulët të shpenzimeve për konsum është ajo e Dibrës dhe e Beratit përkatësisht me 51,300 dhe 54,100 lekë në muaj për familje. Sipas anketës në zonën rurale kuota e shpenzimeve për pije alkoolike dhe duhan është më e lartë se në zonën urbane, 4.9 për qind kundrejt vetëm 3.8 për qind.

Çiftet pa fëmijë më shumë para për ushqim
Familjet e përbëra nga një person i vetëm dhe çiftet pa fëmijë, shpenzojnë më shumë për ushqim krahasuar me tipat e tjera të familjeve. Gjithashtu, familjet me një person të vetëm dhe çiftet pa fëmijë shpenzojnë më shumë për kujdes shëndetësor dhe për banesën. Ndërsa, shpenzimet për arsim ose për veshje dhe këpucë janë më të larta në familjet me 1, 2 dhe 3 fëmijë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›