E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Rritet portofoli i kredive me probleme

Portofoli i kredisë për 3-mujorin e dytë 2008 është rritur ndjeshëm krahasuar me muajt paraardhës, por bashkë me rritjen e portofolit të kredisë, 3-mujori i dytë është karakterizuar edhe me rritjen e kredive që kanë probleme në kthimin e tyre tek bankat. Kreditë e këqija janë rritur me 21.6 për qind gjatë kësaj periudhe. Është Banka e Shqipërisë që ka arritur në këtë konkluzion dje kur ka miratuar raportin “Mbi gjendjen e sistemit bankar gjatë tremujorit të dytë të vitit 2008”, në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës së saj. Raporti vëren se rritja e aktiveve të sistemit bankar vijoi edhe në tremujorin e dytë të vitit 2008, por në nivele më të ulëta se një tremujor më parë. Kontributin kryesor e dhanë bankat e mëdha, ndërsa norma më e lartë e rritjes u shfaq për grupin e bankave të mesme. Rritja e aktiveve të sistemit bankar për tremujorin e dytë të vitit 2008, u pasqyrua kryesisht në rritjen e portofolit të kredisë, 33.5 miliardë lekë ose 10.7 për qind (përbëjnë rreth 43 për qind të totalit të aktiveve); ndërsa burim kryesor u identifikua rritja e depozitave të sistemit bankar me 18.2 miliardë lekë ose me 2.87 për qind. Sipas raportit të BSH-së, gjatë këtij tremujori, kredia në monedhën vendase u rrit me ritme të krahasueshme me kredinë në monedhë të huaj. Zhvillimet për pjesën e pambuluar të kredisë në monedhë të huaj nga rreziku i kursit të këmbimit tregojnë sërish peshën më të madhe që zë segmenti “për pasuri të paluajtshme”, prej rreth 54.1 për qind.

Në ndryshim nga një tendencë e vënë re kohët e fundit, u evidentua ritëm më i lartë rritës për kredinë akorduar bizneseve kundrejt kredisë dhënë individëve dhe kryesisht e dhënë në monedhë të huaj, veçanërisht për bizneset. Struktura e kredisë sipas degëve të ekonomisë në qershor vijon të mbetet pothuaj pa ndryshime të dallueshme. Banka vlerëson se struktura paraqitet përgjithësisht e diversifikuar, duke ofruar mundësi për stabilitet të portofolit të kredive nga pikëpamja cilësore dhe kontribut, relativisht optimal për zhvillimin e ekonomisë. Megjithëkëtë, BSH-ja veçon sektorin e bujqësisë që ende mbetet i nënvleftësuar dhe pa mbështetje nga sektori bankar. Në këtë raport theksohet se tremujori i dytë i vitit 2008 shënon rritjen e portofolit të kredive me probleme të sistemit bankar me rreth 2.7 miliardë lekë ose me 21.6 për qind, nga 2.5 miliardë lekë ose 25.2 për qind për tremujorin e mëparshëm. Treguesi që mat cilësinë e portofolit të kredive të sistemit (mbi baza bruto) përllogaritet në nivelin 4.31 për qind, nga 3.92 për qind në tremujorin e parë. Kjo ecuri jopozitive pritet të vazhdojë, si rezultat i ritmit të lartë rritës të kredive të akorduara gjatë këtyre viteve dhe efektit të shtyrë në kohë të kredive me probleme. Edhe treguesi “kredi me probleme / teprica e kredisë (neto)”, i cili mat madhësinë neto të ekspozimit ndaj rrezikut të kredisë, u përkeqësua, në nivelin 2.43 për qind nga 2.08 për qind në tremujorin e mëparshëm. Treguesi “kredi ndaj totalit të depozitave” ka pësuar sërish rritje. Veçanërisht, dallohen bankat e mesme, të cilat shfaqin një prirje më të madhe për të rritur peshën e kredive kundrejt depozitave. Treguesi shfaq vlerë të ulët në monedhën vendase dhe në USD. Treguesi në monedhën euro, pas një rënieje të lehtë gjatë viteve 2006 dhe 2007, është rritur në tremujorin e parë të vitit 2008, duke arritur vlerën e fundit të vitit 2004 dhe ka vazhduar të rritet më tej, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2008.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›