E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Rritja e çmimeve do vazhdojë

Kriza e çmimeve duket
se do ta shoqërojë Shqipërinë
edhe për një afat
të pacaktuar. Të paktën ky është
paralajmërimi indirekt, që Banka
e Shqipërisë ka bërë në buletinin
e fundit ekonomik publikuar
vetëm pak ditë më parë. Banka
Qendrore duket se i druhet më
shumë pasojave që pritet të japin
në vazhdim rritja e kostove
të prodhimit për bizneset në
vend. Sipas të dhënave zyrtare
gjatë vitit 2007 kostot e prodhimit
u rritën 2 herë më shumë
se mesatarja historike. Për disa
degë të prodhimit, sidomos asaj
ushqimore, kostot u rritën me
10 herë krahasuar me një vit më
parë. Banka vëren se kjo rritje e
kostove në prodhim është shoqëruar
edhe me një rënie të produktivitetit
të bizneseve si pasojë
e krizës së ashpër energjetike,
që kaloi vendi gjatë vitit 2007.
Të gjithë këto elemente e kanë
nxjerrë bankën në përfundimin
se kjo situatë kërkon një politikë
monetare më shtrënguese për t‘u
administruar. E thënë ndryshe,
tendenca e bankës është për një
rritje të mëtejshme të kostos së
parasë për t‘i vënë fre këtij inflacioni
që në Shqipëri përveçse nga
kriza ndërkombëtare e çmimeve
shkaktohet dhe nga deformimet
strukturore të ekonomisë së
brendshme. Bujqësia shqiptare
është e prapambetur dhe nuk
është në gjendje të përmbushë
nevojat e tregut për mallra çka
bën që çmimet e artikujve bujqësorë
në periudhat jashtë sezoneve
të prodhimit të arrijnë majat.
Sipas Bankës Qendrore në vitin
e fundit ishin pikërisht ushqimet
ato që sollën rritjen dërrmuese të
inflacionit në vend.
Kostoja e parasë
Përpjekjet për të mbajtur nën
kontroll inflacionin e detyruan
Bankën Qendrore që të ndërhyn
te 3 herë vitin e kaluar për të rritur
normën bazë të interesit, duke
e çuar atë në nivelin aktual 6.25
për qind. Kjo solli, veç interesave
më të larta për qytetarët që kanë
depozituar kursimet e tyre në
bankë, edhe efektin e anasjelltë,
atë të interesave më të lartë për
kreditë. Për rrjedhojë, kostoja e
parasë në vend ka arritur në nivelet
më të larta të viteve të fundit.
Për periudhën 2006-2007, kostoja
e parasë në vend është rritur me
gati dy pikë përqindje ose e thënë
ndryshe me gati 20-30 për qind,
ndërkohë që burime konfidenciale
nga banka nuk përjashtojnë
mundësinë e një rritjeje tjetër
të shpejtë të normës bazë. Dje,
Komiteti i Politikës Monetare në
Bankën e Shqipërisë ka diskutuar,
në një mbledhje maratonë
zhvillimet e fundit në ekonomi,
si dhe kërcënimet gjithmonë e
më të forta të inflacionit. Gjithë
ky diskutim është bërë nën
praninë e ekspertëve të huaj që
BSH ka pajtuar për asistencë në
vendimet e rëndësishme. Shumë
shpejt pritet që të ketë dhe një
vendim, nëse do të rritet apo jo
sërish norma bazë e interesit.
Biznesi ul investimet
Rritja e kostos së parasë, ka
filluar sakaq të japë dhe efektet
e para negative. Biznesi e ka
ndjerë i pari këtë teksa ka ulur
ndjeshëm kërkesat për kredi.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë
vitit të kaluar ritmi i rritjes së
kredisë për biznesin është ulur
ndjeshëm, nga 54.15 për qind që
ishte tremujorin e parë të vitit
në 43.7 për qind në tremujorin e
fundit. Banka jep dhe arsyet për
këtë. "Rritja më e ulët e kredisë
për biznesin ka ardhur si pasojë
e ngadalësimit të normave të
rritjes së kredisë për investime,
si dhe rritjes më të shpejtë të
kredisë për kapital qarkullues.
Kjo e fundit karakterizohet nga
periudha afatshkurtra maturimi
dhe për pasojë, nivelet e larta të
shlyerjes të kredisë kanë ndikuar
në rritjen më të ulët të tepricës së
portofolit", thotë raporti i bankës.
E thënë më thjesht, kjo do të thotë
se bizneset po marrin më pak
lekë për të investuar dhe se po
marrin më shumë për të mbuluar
shpenzimet e momentit si pagat e
punonjësve apo borxhet që kanë
ndaj të tretëve. Kjo tendencë ka
vazhduar për të gjithë vitin 2007
dhe ekspertët thonë se ky sinjal
është shqetësues, pasi kredia për
investime është një nga indekset
kryesore ku mbështeten parashikimet
për rritjen ekonomike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›