"Ramush Haradinaj është i pafajshëm, ndaj të lirohet"
Udhëheqësit kryesorë politikë të Kosovës kanë shprehur gatishmërinë për të ofruar të gjitha garancitë që mund të kërkohen prej tyre për të lehtësuar lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, përmbyllja e procesit kundër të cilit në Gjykatën e Hagës, pritet gjatë javës që po vjen.
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, u akuzua nga Gjykata e Hagës në mars të vitit 2005 për krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Në një deklaratë të përbashkët të Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryetarit të Parlamentit, Jakup Krasniqi, dhe Kryeministrit Hashim Thaçi thuhet se "institucionet e Kosovës, duke qenë të vetëdijshme për përgjegjësitë dhe angazhimin e pakushtëzuar sipas ligjit ndërkombëtar të bashkëpunojnë plotësisht me Tribunalin Ndërkombëtar të Krimeve për ish-Jugosllavinë, janë të gatshme të sigurojnë çdo garanci dhe siguri që mund të kërkohet nga komuniteti ndërkombëtar dhe Gjykata e Hagës në mënyrë që të lehtësojë lirimin e zotit Ramush Haradinaj". Ata kanë shprehur besimin e tyre në pafajësinë e zotit Haradinaj dhe shpresojnë se ai së shpejti do të lirohet sipas procesit të duhur.