E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bush autorizon furnizimin e Kosovës me armë

Presidenti Bush autorizoi furnizimin e Kosovës me armë, një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet me shtetin e ri. Në një dokument dërguar Sekretares së Shtetit, Kondoliza Rajs, Presidenti Bush tha dje se ai ka arritur në përfundimin se furnizimi i Kosovës me armë do të forcojë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe do të nxisë paqen në botë. Presidenti Bush e udhëzon sekretaren e Shtetit që t‘ia transmetojë këtë vendim kongresit. Ai nuk jep hollësi të tjera. Në një memorandum dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit, Presidenti Xhorxh Bush tha se "në këtë mënyrë, furnizimi me artikuj mbrojtës dhe shërbime mbrojtëse për Kosovën do ta forcojë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe do të promovojë paqe botërore". Një zyrtar i lartë tha se autorizimi, që u bë pasi Shtetet e Bashkuara e njohën pavarësinë e Kosovës, konsiderohet se është pjesë e procesit normal të krijimit të marrëdhënieve me qeverinë e re. Shtëpia e Bardhë njoftoi se hapi i Presidentit Bush do t‘i forcojë raportet e sigurisë së Shteteve të Bashkuara me Kosovën, do ta promovojë sigurinë dhe stabilitetin në gjithë Ballkanin dhe do ta përmirësojë kapacitetin e Kosovës për të marrë pjesë në aktivitete paqeruajtëse, do të ndihmojë në luftimin e terroristëve dhe t‘i menaxhojë situatat emergjente humanitare. "Parimet aktuale të artikujve mbrojtës ose të shërbimeve mbrojtëse do të shqyrtohen prej rastit në rast, përfshirë edhe respektimin e udhëzimeve relevante dhe kritereve që i përmban politika e Transferimit të Armatimit Konvencional", thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë". Hapi i Presidentit amerikan, Xhorxh Bush, që të autorizojë furnizimin e Kosovës me armatim, është mirëpritur nga institucionet kosovare, përderisa analistët pohojnë se kjo dëshmon se SHBA-të e shohin Kosovën si faktor stabiliteti në rajon, por edhe si promovuese e paqes në rajon. Institucionet e Kosovës e kanë mirëpritur vendimin e Presidentit amerikan, Xhorxh Bush që të ndihmojë furnizimin me armë të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka mirëpritur këtë ndihmë dhe ka premtuar se Kosova do të kontribuojë në raportet e shkëlqyeshme që ka me Uashingtonin. "Raportet e Prishtinës me Uashingtonin janë specifike, speciale, të shkëlqyeshme dhe natyrisht se prania e KFOR-it amerikan dhe e të gjitha trupave të NATO-s është e mirëseardhur, e respektuar dhe më e përkrahur nga qytetarët në botë", tha Thaçi. Në anën tjetër, analistët për çështje ushtarake thonë se vendimi për furnizimin me armatim të Kosovës, është një hap drejt sjelljes së një baraspeshimi në aspektin ushtarak të vendeve të rajonit, edhe pse aktualisht Kosova është shumë larg kësaj ekuivalence. Kosova së pari duhet të formojë Forcën e Sigurisë të Kosovës, e cila, sipas planit të Ahtisarit, do të ketë 2500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë, të armatosur me armë të lehta. Sidoqoftë, anëtari i Komisionit Parlamentar për Siguri, Naim Maloku, vlerëson se vendimi i Presidentit Bush do të ndihmojë shumë në ngritjen e kësaj force. Maloku thotë se vendimi amerikan rikonfirmon faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendojnë seriozisht për Kosovën, e shohin atë si faktor stabiliteti në rajon, ndërsa sigurinë e Kosovës e kanë prioritet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›