E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu e Thaçi falënderojnë shtetet e Ballkanit për njohjen

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe Kryeministri Hashim Thaçi i kanë falënderuar dje tri shtetet e rajonit, Hungarinë, Bulgarinë dhe Kroacinë për njohjen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Presidenti dhe Kryeministri në takime të ndara i siguruan përfaqësuesit e këtyre tri shteteve se Kosova do të jetë shtet i të gjithë qytetarëve me një demokraci perëndimore. "Dëshiroj t‘i falënderoj edhe njëherë këto vende për këtë vendim jashtëzakonisht të rëndësishëm për përkushtimin që kanë pasur dhe kanë për ndihmë ndaj Kosovës për të ecur në proceset që i kemi përpara dhe të rrugës që ne e kemi marrë për t‘u integruar në integrimet euroatlantike", theksoi Presidenti Sejdiu, duke shtuar se "Kosova do të jetë shtet i pavarur dhe sovran i të gjithë qytetarëve, i një demokracie perëndimore e ndërtuar mbi këto parime, e cila ka synim integrimin në BE dhe në NATO". Presidenti Sejdiu vlerësoi se ky është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm i këtyre vendeve. "Ne jemi konsultuar edhe më herët me këto shtete dhe ka qenë qëndrim i tyre që t‘i kryejnë procedurat normale të kohës së nevojshme në Parlament dhe qeveri dhe kanë marrë këtë vendim, i cili është një reflektimi i veçantë për të vlerësuar kriteret që i ka përmbushur Kosova për të qenë shtet sovran dhe i pavarur", u shpreh Sejdiu, duke theksuar se "janë të kota përpjekjet e Serbisë që të bëjë pengesa njohjes dhe perspektivës së shtetit të pavarur të Kosovës". Edhe Kryeministri Thaçi vlerësoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nga shtet e rajonit është sinjal i mirë për Kosovën dhe është mesazh i qartë për paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe për integrime euroatlantike. "Rajoni definitivisht po kalon nga faza e konfrontimeve të panevojshme të mëhershme në fazën e konsoliduar të paqes, stabilitetit, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit rreth procesit integrues", u shpreh Thaçi, duke shtuar se është obligim i të gjitha shteteve në rajon që të bashkëpunojnë. Sipas Thaçit, faza më e rëndësishme e njohjes kualitative është në proces përfundimtar dhe se tash do të fillojë procesi i njohjes numerike. "Natyrisht, periudha tjetër do të jetë e njohjes së konsoliduar të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, prandaj gjithë parametrat janë duke shkuar sipas planifikimit dhe në të njëjtën kohë po hapur perspektiva që Kosova të jetë pjesë edhe e FMN-së dhe e Bankës Botërore", tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›