BSH: Rritja e interesave të depozitave, promocionale
Autoriteti Qendror vlerëson se bankat po krijojnë një rritje promocionale të interesit të depozitave
Pas bërjes publike të një sërë ofertash tepër të larta për interesat në lek dhe në valutë, Banka e Shqipërisë i ka vlerësuar këto zhvillime si promocionale. Në tregun e depozitave është vërejtur rritje e natyrës promocionale të normave të interesit për depozitat me afat në lekë dhe në euro,- bën të ditur në një raport të saj BSH. Muaji gusht dhe ai korrik, shënojnë edhe kulmin e kthimit të emigrantëve shqiptarë në atdhe, duke u kthyer në këtë mënyrë në klientë potenciale të bankave. Më këto kushte, bankat e nivelit të dytë kanë filluar që të publikojnë se ofrojnë interesa mbi 10% për depozitat njëvjeçare në lekë. I njëjti promocion po realizohet edhe për monedhën evropiane që është kthyer në monedhë bazë për kursimet e shqiptarëve. Por BSH bën të ditur se këto interesa janë të natyrës promocionale dhe deklaron se në treg nuk ka rritje të ndjeshme të interesit të depozitave,
Bonot, interesa mbi 8.2%
Mbeten nga investimet me kthime më të larta. Në pjesën më të madhe të vitit 2008 interesi vjetor i investimet në bono thesari me afat maturimi 1-vjeçar ka qenë mbi 8 për qind, duke mbetur edhe një nga investimet më fitimprurëse të bankave të nivelit të dytë që fitojnë në këto kushte interesa tejet të larta me një risk zero. Mbetet ende e vështirë pjesëmarrja e individëve në këtë treg në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke i lënë këtyre të fundit një mundësi të vogël në tortën e madhe të interesave të larta që paguan qeveria për borxhin e saj. Gjatë ankandeve të fundit, interesat e bonove të thesarit kanë rezultuar mbi 8.2 për qind, me një prirje në rritje. Deklaratat e qeverisë për një hapje të këtij tregu dhe futjen në të të aktorëve të rinj, kanë mbetur thjesht demagogji, duke e lënë këtë treg në një konkurrencë tepër të ulët.
Kredia, interesi i euros në rritje
Pas masave shtrënguese të ndërmarra nga ana e Bankës Qendrore Europiane për rritjen e interesave bazë të euros, bankat edhe në Shqipëri kanë reflektuar në rritjen e interesit, kryesisht të kredive. Kredia në këtë mënyrë është bërë më e shtrenjtë dhe njëkohësit, ka pësuar një rënie në ritmet e saj për biznesin dhe individët. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, gjatë vitit të ardhshëm, normat e rritjes së kredisë për sektorin privat pritet që të bien në nivele të ulëta.
------------------------------------------Euro ruan kursin e 2 muajve më parë ndaj lekut
Prej disa vitesh, monedha europiane vazhdon që të ruajë një kurs stabël edhe në fluksin e emigrantëve
Monedha evropiane, edhe gjatë këtij muaji ka vazhduar që të ruajë stabilitetin ndaj lekut, pavarësisht rritjes së ofertës pas ardhjes së emigrantëve. Kursi mesatar i këmbimit nuk ka rënë poshtë 121 lekëve, edhe gjatë ditës së djeshme. Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë dhe lëvizjet e spekulatorëve, janë edhe faktorët bazë të kësaj qëndrueshmërie në tregun vendës.
Inflacioni rrëzon euron
Një pjesë e rëndësishme e ecurisë të monedhës evropiane në tregun vendës, duket se është e ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga presionet inflacioniste të Eurozonës. Sipas Reuters, Euro ka humbur 0.3 pikë përqindje gjatë ditës së djeshme ndaj dollarit, duke reflektuar krizës e ekonomisë evropiane. Tashmë është bërë fakt që pas krizës amerikane, bota është duke u përballur edhe me një krizë të re në Europë. Inflacioni në Eurozonë po kalon 4 përqindëshin dhe specialistët shprehen skeptikë për të ardhmen. Ekonomia shqiptare, nga ana tjetër, mbetet tërësisht e pambrojtur nga këto zhvillime. Importet tashmë kanë kaluar 3 miliardë euro dhe origjina e tyre kryesisht vjen nga vendet e eurozonës. Nga ana tjetër edhe krediti i dhënë nga ana e bankave të nivelit të dytë është i mbizotëruar në një masë që shkon mbi 70% në euro, duke qenë sërish një pikë e dobët ndaj goditjeve që tashmë janë prezente.