E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Do të rigjallërojmë lidhjet me Kinën

Kryeministri deklaron se ka gjetur gatishmërinë e Pekinit për kredi të buta e investime në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, z.Sali Berisha deklaroi dje në përfundim të një vizite në Kinë, se ka arritur të sigurojë gatishmërinë e qeverisë së Pekinit për të dhënë kredi me terma të butë për zhvillimin e Shqipërisë, si dhe për të nxitur investimet e këtij vendi te ne.

“Shqipëria dhe Kina kanë pasur në të kaluarën lidhje të fuqishme. Kina e ka ndihmuar Shqipërinë, sepse në mbarë vendin janë ndërtuar dhjetëra e qindra uzina e fabrika, në të cilat shqiptarët, me punën e tyre, kanë siguruar jetesën. Një ditë, kur Kina u shkëput nga kursi aventuresk i Cian Cin-it dhe Lin Biao-s dhe përqafoi kursin e reformave të Ten Xiaopin-it, udhëheqja paranojake politike shqiptare e denoncoi atë si një superfuqi dhe në mënyrën më mosmirënjohëse, ndërseu megafonat e shpifjes e të mashtrimit kundër tyre. Natyrisht, edhe në vitin 1996 unë e sigurova Presidentin e Kinës, dhe tani Kryeministrin e saj, se shqiptarët ruajnë mirënjohjen për ndihmën që kanë marrë nga Republika Popullore e Kinës dhe nuk pajtohen kurrë me mosmirënjohjen dhe paranojën e udhëheqjes së tyre. Por, theksova se në të shkuarën Cu En Lai ka vizituar tre herë Shqipërinë dhe se shqiptarët presin me kënaqësi vizitën e kryeministri Uen Jiabao në Shqipëri. Kryeministri e priti me shumë kënaqësi ftesën dhe më siguroi se do ta vizitojë Shqipërinë”,- tha Berisha.

Agjencia zyrtare e lajmeve të Kinës “Xinhua” e pasqyroi lajmin shumë më ftohtë. Z.Berisha deklaroi se kryeministri kinez Wen Jinbao ka premtuar një grant për qeverinë shqiptare, si dhe ka pranuar të nënshkruajë një “marrëveshje partneriteti strategjik për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik”. “Xinhua” nuk njoftoi për diçka të tillë

Shqipëria dhe Kina në vitet ‘60

Shqipëria hyri në një aleancë të ngushtë me Kinën në vitin 1962, në bazë të një marrëveshjeje të thjeshtë ku Shqipëria i ofronte të drejtat e saj ndërkombëtare tregtare Pekinit, që në atë kohë nuk njihej si shtet legjitim në arenën ndërkombëtare. Gjatë kësaj periudhe, dy vendet krijuan një “kompani të përbashkët lundrimi”, ndërsa Kina ofroi ndihma të ndryshme në makineri e para, me vlerë të përgjithshme prej 890 milionë dollarësh, sipas një vlerësimi të Librarisë së Kongresit. Pas pranimit të Kinës në arenën ndërkombëtare, marrëdhëniet mes dy vendeve u ftohën, derisa në vitin 1978, u kalua në marrëdhënie armiqësore. Sot, Kina është partneri i tretë tregtar i Shqipërisë. Marrëdhëniet diplomatike janë përmirësuar pas vitit 1991, por Republika Popullore e Kinës nuk ka shprehur ndonjë interes të veçantë për investime në Shqipëri. Dy vite më parë, disa kompani kineze u interesuan për industrinë minerare të vendit, por nuk arritën të çanin për shkak se kjo industri qe dhënë sakaq me koncesion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›