E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush vjedh energji elektrike këtej e tutje do të dënohet me burgim



Ervin Koçi

Çdo ndërhyrje në rrjetin elektrik apo vjedhje e energjisë nga ana e konsumatorëve, këtej e tutje do të konsiderohet vepër penale dhe nuk do të ndëshkohet vetëm me gjobë, por dhe me burgim. Kundërvajtja është cilësuar nga ligji si një vepër e rëndë penale dhe shkelësit do të dënohen penalisht. Për këtë qëllim Operatori i Sistemit të Shpërndarjes nënshkroi dje me Policinë e Shtetit marrëveshjen e bashkëpunimit për penalizimin e subjekteve që ndërhyjnë në rrjetin elektrik. Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i Përgjithshëm i OSSH-së, Sahit Dollapi dhe drejtori i Përgjithshëm Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, në prani të ministrit të METE-s, Genc Ruli. “Kjo marrëveshje nënshkruhet në funksion të detyrimeve reciproke për të siguruar atë që është objektivi i qeverisë, furnizimin sa më të mirë të popullatës me energji elektrike, që krahas masave të tjera, ka edhe një parakusht të domosdoshëm, faktin që energjia si malli më i shtrenjtë dhe më strategjik, nuk duhet as të shpërdorohet, as të vidhet, as mos të paguhet", - ka deklaruar Ministri Ruli.

Marrëveshja

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, policia do të ndihmojë në zbatimin e ndryshimeve që qeveria i ka bërë Kodit Penal, ku çdo ndërhyrje në rrjetin elektrik konsiderohet vepër penale dhe nuk ndëshkohet më vetëm me gjobë. Marrëveshja e bashkëpunimit mes OSSH-së dhe Policisë së Shtetit do të jetë e vlefshme edhe pas privatizimit të kompanisë. “Ndryshimi i pronësisë nuk ka të bëjë me ndryshimin e performancës dhe të rolit të rëndësishëm të këtij sektori të rëndësishëm”,- tha ministri Ruli. Duke theksuar faktin se detyra funksionale për realizimin e furnizimit dhe sigurimit të të ardhurave që vijnë nga shpërndarja e energjisë elektrike është e OSSH-së, Ruli shtoi se "Drejtoria e Policisë së Shtetit ka funksion vetëm si mbështetës ndaj OSSH-së në realizimin e detyrave të saj, qoftë në raste të ndërhyrjeve për të shmangur lidhjet e paligjshme, vjedhjet e energjisë elektrike, apo mospagimin kronik të faturave të energjisë elektrike". Duke u ndalur te rëndësia që kanë utilitetet publike si furnizimi me ujë dhe energji elektrike, ministri Ruli vlerësoi miratimin nga Parlamenti të një ndryshimi në Kodin Penal. Në bazë të tij, "çdo ndërhyrje në rrjetin ujor të furnizimit të ujësjellësve dhe të rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike quhet vepër penale, pra dënohet si e tillë dhe jo thjesht me një gjobë". Sipas tij, në këtë drejtim, ndihmesa dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm midis drejtorive rajonale të OSSH-së dhe drejtorive të Policisë së Shtetit, kthehet në funksion normal të shtetit.

Situata

Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, tha se "situata energjetike ndodhet në momentet më mira". Ministri Ruli theksoi se "situata klimatike nuk ka rënduar situatën energjetike".
Në lidhje me furnizimin me energji elektrike për këto ditë problematike, ministri Ruli tha se gjatë javës së ardhshme do të prezantohet një listë e qartë për zonat dhe orarin e kufizimeve. Ndërkohë, burime nga OSSH-ja bëjnë të ditur se kjo kompani disponon në rrjet të gjithë sasinë e nevojshme të energjisë elektrike, duke garantuar 24 orë energji pa ndërprerje të konsumatorëve shqiptarë. OSSH-ja ka siguruar sasinë e nevojshme të energjisë elektrike për 3-mujorin e parë, duke garantuar sasinë e energjisë edhe për mbulimin e humbjeve për importin për këtë 3 mujor, e cila arrin në rreth 600 milionë kilovatë/orë.

10 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›