Edi Rama nis betejën për ndryshim aty ku u shemb diktatura
Albert Gjoka
Kryesocialisti Edi Rama e ka nisur betejën zgjedhore në Qytetin Studenti, pikërisht në sheshin ku ai dhe mijëra të rinj rrëzuan komunizmin dhe patën ëndrrën për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Ky ishte edhe premtimi që u bëri ai shqiptarëve pas 28 qershorit, që ky vend të integrohet në BE dhe që shtetasit e tij të lëvizin pa viza. Hipoteka që ka vënë para elektoratit dhe shqiptarëve ka qenë suksesi i tij në drejtimin 8-vjeçar të kryeqytetit. “Modeli i Tiranës do të rrezatojnë gjithë Shqipërinë”, - tha Rama, i cili çeli mbrëmë zyrtarisht fushatën elektorale pas një rruge të gjatë të prezantimit të programit dhe të 140 kandidatëve që ishin mbrëmë në sheshin kryesor të Qytetit Studenti.
Prezantimin e pretendentit për kryeministër e ka bërë Gramoz Ruçi, një nga figurat kryesore të Partisë Socialiste që në ditët e para të vitit 1991. Më pas kanë dhënë mesazhet e tyre kandidatë, qytetarë të thjeshtë, përfaqësues të ish-ushtarakëve, të të verbërve etj. Mes tyre ka qenë edhe një përfaqësues i LSI-së, i cili iu bashkua radhëve të PS-së ditët e fundit.
Hapja e mitingut
Me mijëra veta i janë drejtuar mbrëmë Qytetit Studenti, pikërisht në vendin ku nisën protestat e para për shembjen e komunizmit 18 vjet më parë, në atë vend ku kanë qenë kryeministri i sotëm, zoti Sali Berisha dhe kryesocialisti i sotëm, Edi Rama. Partia Socialiste në opozitë premtoi mbrëmë atë që ëndërruan shqiptarët 18 vjet më parë, hyrjen e Shqipërisë në Europë. Në rreth 120 minuta ceremoni, drejtuesit kanë ftuar socialistët dhe shqiptarët që të marrin pjesë në luftën politike 30-ditore. Me një dekor plot ngjyra dhe me simbolet e PS-së, nën tingujt e himnit zgjedhor socialist “Çohu”, i cili është lançuar për herë të parë mbrëmë, PS-ja rreshtoi 140 “kalorësit” e betejës dhe programin politik me të cilin do të konkurrojë përballë Partisë Demokratike në pushtet.
Ruçi hap siparin
Gramoz Ruçi, një nga politikanët e ditëve të para të Partisë Socialiste, e deklaroi të hapur betejën zgjedhore, duke prezantuar kandidatët e PS-së, programin dhe kryeministrin e ardhshëm të socialistëve. “Është koha që Sali Berisha duhet të ikë”, - tha zoti Ruçi, duke e akuzuar kreun e qeverisë për tragjedinë e Gërdecit, varfërinë, krizën ekonomike që ka përfshirë vendin. Ai tha se “Edi Rama përfaqëson ndryshimin që ne na duhet dhe meritojmë. Me Edi Ramën kryeministër, ditë të mira do të kenë shqiptarët”. Pas zyrtarit të lartë socialist ka përcjellë mesazhin aktorja dhe kandidatja e PS-së që konkurron në Sarandë, Luiza Xhuvani, e cila ka komentuar shpirtin prej artisti të politikanit Edi Rama. “Rama ka sjellë ngjyrë në jetën e shumë njerëzve që të ëndërrojnë sërish. Shqipërinë do ta fusim në Europë, por më parë duhet ta bëjmë si Tirana”, - tha aktorja që përfaqëson PS-në në këto zgjedhje.
Në vijim ka folur përfaqësuesja e Shoqatës së të Verbërve, e cila denoncoi dhunën e ushtruar para pak ditësh në mjediset pranë selisë së Këshillit të Ministrave. “Unë, si e verbër, besoj në moralin e ri e të qytetëruar që do të na çojë në Europë”, - tha ajo para të pranishmëve. Më pas, Bujar Kodra, një banor i periferisë së Tiranës, që jeton në një banesë informale, tha se vetëm Partia Socialiste do t’ia garantojë ndërtimin pa leje që ka ndërtuar me mund gjatë këtyre viteve. Vetëm PS-ja do t’ia ligjërojë strehën ku jeton me familjen e tij”. Ndërsa kandidati socialist në Tropojë, Fatmir Hoxha, tha se “për 18 vjet me radhë kam parë se politika e vjetër na ka ndarë dhe përçarë. Qyteti është lënë në harresë këto 18 vjet”. Sipas tij, “PS-ja me Ramën në krye po bën që të lindë shpresa në Tropojë”.
Në emër të familjarëve të viktimave në Gërdec e ka përshëndetur hapjen e fushatës Gëzim Gjoni. Ai tha: “Jam këtu, duke përfaqësuar historinë tragjike të 26 qytetarëve, e cila do të gjejë drejtësinë kur të vijë PS-ja në pushtet”.
Ndërsa Rudina Seseri ka folur në emrin e të gjithë të rinjve dhe të rejave, të diplomuar jashtë vendit, që kthehen për të jetuar dhe punuar në vendlindje. “Duhet t’i japim fund tranzicionit të gjatë, pasi projekti për ndryshim ka në qendër qytetarin”, - tha Seseri. Sipas saj, ekipi “Rama” zotëron projektin e duhur për ta bërë Shqipërinë Europiane”. Në listën e personave të ftuar për të dhënë mesazhet e tyre ishin edhe Ilir Betja, pedagog në Universitetin e Elbasanit, njëherësh kandidat i PS-së në zgjedhje; Dava Gjoka, kthyer nga emigracioni dhe drejtues e PS-së në rrethin e Mirditës, ish-i përndjekuri Helidon Bele, që përfaqëson socialisten në garën zgjedhore në qarkun e Shkodrës, Lindita Nikolli, një ish-ushtarak si dhe Ben Blushi, një nga drejtuesit politikë të PS-së. Ish-kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së u shpreh se përpara 18 vjetësh ka qenë në këtë shesh. “Përpara 18 vjetësh, edhe unë si gjithë shqiptarët, besova se Shqipëria ishte shumë afër Europës. Sot kthehem si burrë 40-vjeçar dhe e besoj se pse nuk jemi në Europë”, - tha Blushi. Ai e përfundoi duke thënë se “28 qershori është dita e parë europiane e Shqipërisë”.
Partia Socialiste vjen në fillimin e fushatës pas një periudhe 1-vjeçare të dialogut me Shqipërinë, ngritjen e strukturave të PS-së, konkretisht, grupet vullnetare, bordet qytetare, si dhe me përgatitjen disamujore të programit me 7 kolona për qeverisjen e vendit, me rreth 1000 faqe. Disa ditë më parë PS-ja depozitoi pranë KQZ-së edhe kandidatët e saj, ku shumica garojnë për herë të parë. PS-ja hyn në zgjedhjet e 28 qershorit në aleancë me PSD-në, PDS-së, PBDNJ-në dhe lëvizjen politike “G99”.
Rama: “Modeli i Tiranës do të rrezatojë gjithë Shqipërinë pas 28 qershorit”
Mes tingujve të këngës “Çohu” dhe kujtimeve të 18 viteve më parë, Edi Rama ka lajmëruar nisjen e fushatës 30-ditore me 140 kandidatët e tij dhe programin politik. “Modeli i Tiranës do të rrezatojë gjithë Shqipërinë”, - tha Rama. Ai premtoi integrimin në BE dhe heqjen e vizave për shqiptarët me ardhjen e PS-së në pushtet. Madje, kryesocialisti Rama nuk ka ngurruar që të deklarojë se socialistët do të fitojnë edhe një mandat tjetër. “Unë jam këtu për të udhëhequr një ndryshim historik, për të luftuar varfëria dhe papunësia, për të zmbrapsur injorancën dhe mposhtur korrupsionin”, - tha Rama. Ai prezantoi edhe programin për zhvillimin rural të vendit, sistemin shëndetësor, arsimin, legalizimin, investimet e huaja, mjedisin etj.
“I gjori kryeplak i politikës së vjetër më kërkon mua që të iki pa pyetur për ata që më zgjodhën tri herë radhazi kryetar bashkie”, - tha Rama. Sipas tij, politika për Berishën “është një tallje aq cinike, sa dhe shpërthimi i Gërdecit”. “Nuk kemi ardhur për të thënë poshtë Sali Berisha, por për të ngritur lart Shqipërinë”, - tha kreu i PS-së. “Unë jam këtu që të bëj detyrën e kryeministrit që nuk e ka bërë askush deri sot”, - u shpreh Rama. Ai e mbylli fjalimin e parë të fillimit zyrtarisht të fushatës me fjalinë: “Ne do të fitojmë, se Shqipëria nuk mund të humbasë”.
THANË NË MITING...
Gramoz Ruçi, drejtues i PS-së
“Edi Rama përfaqëson ndryshimin që ne na duhet dhe meritojmë. Me Edi Ramën kryeministër, ditë të mira do të kenë shqiptarët”.
Luiza Xhuvani, kandidate e PS-së
“Rama ka sjellë ngjyrë në jetën e njerëzve që të ëndërrojnë sërish. Shqipërinë do ta fusim në Europë, por më parë duhet ta bëjmë si Tirana”.
Përfaqësuesja e të verbërve
“Unë, si e verbër, besoj në moralin e ri e të qytetëruar që do të na çojë në Europë”.
Bujar Kodra, banor i zonave informale
“Vetëm PS-ja do të më garantojë banesën e ndërtuar pa leje. Vetëm PS-ja do të më ligjërojë strehën ku jetoj me familjen time në Laprakë”.
Fatmir Hoxha, kandidati i PS-së në Tropojë
“Për 18 vjet me radhë kam parë se politika e vjetër na ka ndarë dhe përçarë. PS-ja me Ramën në krye po bën që të lindë shpresa në Tropojë”.
Gëzim Gjoni, përfaqësues i familjeve të Gërdecit
“Jam këtu duke përfaqësuar historinë tragjike të 26 qytetarëve, e cila do të gjejë drejtësinë kur të vijë PS-ja në pushtet”.
Rudina Seseri, kandidate e PS-së
“Duhet t’i japim fund tranzicionit të gjatë. Projekti për ndryshim ka në qendër qytetarin. Ekipi ‘Rama’ zotëron projektin e duhur për ta bërë Shqipërinë evropiane”.
Ish-anëtari i LSI-së
“Besuam, por gabuam te politika e vjetër e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Një votë për LSI-në është një votë për Salinë”.
Ilir Betja, pedagog, kandidat i PS-së në Elbasan
“Unë jam me krenari pjesë e këtij grupi të admirueshëm të detyrave dhe detyrimeve ndaj vendit tonë, ndaj shqiptarëve”.
Ben Blushi, kandidat i PS-së në Korçë
“Përpara 18 vjetësh, edhe unë, si gjithë shqiptarët, besova se Shqipëria ishte shumë afër Europës. Sot kthehem si burrë 40-vjeçar dhe e besoj se pse nuk jemi në Europë. 28 qershori është dita e parë europiane e Shqipërisë”.
29 Maj 2009