Qeveria, 5 mijë lekë shpërblim për çdo lindje fëmijësh
Këshilli i Ministrave miraton fondin për shpërblimin prej 5 000 lekë për çdo lindje të fëmijëve. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u miratua fondi i nevojshëm për përballimin e shpenzimeve për shpërblimin prej 5 mijë lekë për lindjen e fëmijëve. Ky fond i shkon si shtesë buxhetit të vitit 2009 për ministrinë e Brendshme. Domosdoshmëria e paraqitjes dhe e miratimit të këtij vendimi rrjedh nga detyrimi i zbatimit të dispozitave të ndryshuara ligjore, në bazë të të cilave parashikohet shpërblimi në masën 5 mijë lekë, për lindjet brenda vendit, të deklaruara brenda 60 ditësh dhe për lindjet jashtë vendit, të deklaruara brenda 90 ditëve. Ky vendim, eliminon edhe mundësinë abuzimit me marrjen më shumë se 1 herë të këtij shpërblimi.
Qeveria miraton truall për ndërtimin e Stadiumit të Shkodrës
Kryeministri Berisha mban premtimin dhënë qytetarëve të Shkodrës për sigurimin e një trualli për ndërtimin e terreneve sportive të klubit “Vllaznia”. Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme vendimin “për kalimin në pronësi të bashkisë së Shkodrës të truallit pranë ish SMT-së, Shkodër, për ndërtimin e terreneve sportive të klubit të futbollit “Vllaznia””, i propozuar nga ministri i Brendshëm. Me këtë vendim, Kryeministri Berisha mban premtimin e dhënë më parë qytetarëve të Shkodrës, për t’i mundësuar Klubit të futbollit “Vllaznia” ndërtimin e terreneve sportive të mjaftueshme për të stërvitjen e të rinjve të këtij klubi.
29 Maj 2009