Solis: “Berisha, masakër largimesh nga puna me anëtarët e PBDNJ-së”
Luis Tanushi
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut akuzoi strukturat e Partisë Demokratike se kanë filluar një gjueti shtrigash ndaj krerëve të institucioneve që janë përkrahës dhe anëtarë të kësaj partie. Sipas sekretarit të Përgjithshëm i PBDNJ-së, Leonard Solis, heqja nga puna e përkrahësve të kësaj force është një veprim hakmarrës i kryeministrit Berisha, për shkak se PBDNJ-ja vendosi që të garojë në këto zgjedhje me koalicionin e Partisë Socialiste. Solis u shpreh se mënyra se si po vepron PD-ja është primitive. Ndërkohë, deputeti i PBDNJ-së bëri disa akuza në drejtim të disa prej kandidatëve të Partisë Demokratike. Ai tha se këta kandidatë po shkelin ligjin, pasi vazhdojnë të ushtrojnë njëkohësisht funksionet dhe postet e tyre drejtuese në administratën publike, ndërkohë që sipas ligjit ata duhet të jepnin dorëheqjen për shkak të kandidimit të tyre.
Akuza
Deputeti i PBDNJ-së, Leonard Solis, denoncoi largimin dhe shkarkimin për arsye politike nga vendet e punës të anëtarëve dhe simpatizantëve të PBDNJ-së. Solis u shpreh se drejtorët dhe nëpunësit e tjerë të administratës që janë emëruar në postet e tyre gjatë bashkëpunimit mes këtyre dy forcave politike, kanë filluar që të hiqen nga administrata publike. Sipas deputetit të PBDNJ-së, Leonard Solis, që pas largimit të PBDNJ-së nga koalicioni qeverisës, me urdhër të strukturave të larta të PD-së, janë larguar nga puna menjëherë 12 drejtorë që aderojnë në partinë e Vangjel Dules. "Nga mënyra e ekzekutimit ka qenë e tipit partizançe. Gjykata partizane vendosi lirimin dhe emërimin. Linçime të tilla, ekzekutime të tilla me pushkatim administrativ nuk i bëjnë nder një shteti ligjor në shekullin XXI dhe për Europën ku aspirojmë të shkojmë”, - u shpreh Solis. Në lidhje me shkarkimet e nëpunësve të administratës, deputeti i PBDNJ-së i cilësoi këto veprime si lojëra që bëhen mbi të. Një shqetësim tjetër i selisë së PBDNJ-së ka të bëjë edhe me nëpunësit e administratës shtetërore, të cilët janë edhe në kandidim për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. ”Në shumë ministri, drejtorë të Përgjithshëm, sekretarë të Përgjithshëm të ministrive, kandidojnë me forcat e djathta, gjë që është në kundërshtim flagrant me ligjin dhe asnjë lloj mase nuk merret",- deklaroi Leonard Solis, deputet i PBDNJ-së. Edhe një javë më parë Partia për të Drejtat e Njeriut shprehu shqetësimin se njerëzit e saj po shkarkohen nga puna në administratë vetëm për shkak të bindjeve të tyre politike. PBDNJ-ja e quajti largimin e njerëzve që janë simpatizantë të saj si hakmarrjeje politike. Një shqetësim tjetër i selisë së PBDNJ-së ka të bëjë edhe me nëpunësit e administratës shtetërore, të cilët janë edhe në kandidim për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Denoncimi
Rastet e shkarkimeve të drejtorëve të Partisë për të Drejtat e Njeriut filluan pak ditë pas futjes së kësaj force politike në zgjedhjet e ardhshme në koalicion me Partinë Socialiste. Shkarkimet e para ishin ato të Vlorës dhe të Sarandës. “Përmes shkresave të çuditshme, dje, nëpërmjet komunikimeve telegrafike, është shkarkuar nga puna kryetari i PBDNJ-së të Vlorës dhe sekretari i Përgjithshëm i organizatës ‘OMONIA’ në Sarandë”,- është shprehur deputeti i PBDNJ-së. Aleatët e rinj të PS-së kanë kërkuar që PD-ja të mos sillet si pronare e administratës. “PD-ja po e menaxhon pushtetin që i është dhënë, por ajo nuk është pronarja e administratës, ajo nuk është pronarja e shtetit shqiptar. Duhet të ndalohet kategorikisht shkarkimi i njerëzve nga puna në periudhën e fushatës elektorale për qëllime terrori. Në qoftë se Berisha mendon se votat do të vazhdojnë të mblidhen duke bërë gjuetinë e shtrigave mbi administratën dhe mbi bazën e frikës, kjo është rruga më e gabuar që një parti mendon të shfrytëzojë pozicionin, administratën duke hequr njerëzit nga puna”, - tha Solis.
Nis punën Bordi i Monitorimit të Medias për fushatën zgjedhore
Me nisjen e fushatës elektorale, po dje nisi punën edhe Bordi i Monitorimit të Medias. Bordi bëri prezantimin e parë para Komisioni Qendror të Zgjedhjeve. Kryetar i tij u zgjodh Basir Çollaku, ndërsa anëtarë janë Rexhep Polisi, Blerina Toslluku, Artur Bega, Hamdi Jupe, Shyqyri Meka dhe Iris Luarasi. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, tha se institucioni që ai drejton do të plotësojë nevojat e Bordit për monitorimin e mediave në fushatë. "Për Bordin është detyrë parësore që të përvetësojë detyrimet e tij ligjore sipas Kodit Zgjedhor. Bordi duhet të sjellë informacione periodike dhe ta informojë KQZ-në lidhur me rezultatet e punës suaj ose dhe propozime për masa disiplinore ndaj operatorëve të medias për respektimin e kohës televizive të fushatës së partive politike", - tha kryetari Ristani. Në Nenin 5 të Kodit Zgjedhor thuhet se KQZ-ja, 10 ditë përpara fillimit të periudhës zgjedhore, ngre Bordin e Monitorimit të Medias, i cili ka për detyrë monitorimin e zbatimit të dispozitave të Kodit për fushatën zgjedhore në Radion dhe Televizionin Publik dhe TV-të private. Bordi i Monitorimit të Medias e ushtron veprimtarinë e tij në të gjithë territorin zgjedhor. Për kryerjen e monitorimit, Bordi shfrytëzon kapacitetet teknike që disponon Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit. Për transmetuesit vendorë që nuk mbulohen nga mjetet monitoruese të KKRT-së, Bordi cakton monitorues vendorë. Monitoruesit vendorë të Bordit vendosen pranë KZAZ-së, ku ka qendrën e transmetimit operatori radioteleviziv që monitorohet. Radiot dhe televizionet publike dhe private janë të detyruara të regjistrojnë të gjitha transmetimet e tyre përgjatë gjithë periudhës së fushatës zgjedhore. Bordi i paraqet KQZ-së çdo ditë raport për përfundimet e monitorimit për ditën pararendëse. Raporti shoqërohet, sipas rastit, me propozimet për masa administrative. Bordi kolegjialisht ose secili nga anëtarët e tij ka të drejtë të propozojë marrjen e masave administrative.
29 Maj 2009